Bota Putin kërcënon: Nuk duam ta sulmojmë Perëndimin, por armët tona bërthamore mund...

Putin kërcënon: Nuk duam ta sulmojmë Perëndimin, por armët tona bërthamore mund t’i arrijnë

Presidenti rus Vladimir Putin i është drejtuar popullit të tij paraditen e së enjtes me anë të një daljeje televizive.

Në fillim të fjalës së tij, lideri rus bëri të ditur se ka folur me qytetarë rreth e qark vendit, duke përfshirë këtu, mësues, vullnetarë dhe ushtarë. Siç edhe bëri të ditur, këtë vit, fokusi i qeverisë së tij do të jetë në agjendën e brendshme.

Nga ana tjetër, Putin u drejtua edhe vendeve të Perëndimit që mund të jenë duke e peshuar mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë. Lideri rus i kujtoi Perëndimit se edhe Rusia ka armë dhe se mund të krijohen kushtet për një konflikt bërthamor.

Është e nevojshme që të forcojmë grupet tona (ushtarake) në drejtimin strategjik perëndimor për të neutralizuar kërcënimet që lidhen me zgjerimin e radhës të NATO-s në lindje, përfshirjen e Suedisë dhe Finlandës në Aleancë. Po flitet për mundësinë e dërgimit të kontingjenteve ushtarake të NATO-s në Ukrainë. Por ne e mbajmë mend fundin e atyre qe dërguan kontingjente në vendin tonë. Por tani, pasojat e një ndërhyrje të mundshme do të jenë shumë më tragjike. Edhe ne kemi armë – dhe ata e dinë mirë, siç thashë – edhe ne kemi armë që mund të godasin objektiva në territoret e tyre. Dhe se ajo që po bëjnë tani, duke u përpjekur të frikësojnë të gjithë botën, rrezikon një konflikt me armë bërthamore. Që do të thotë shkatërrim i qytetërimit.”

Presidenti rus deklaroi se Rusia ka një arsenal bërthamor të modernizuar dhe më të madhin në botë.

Putin u sugjeroi vendeve Perëndimore që të kujtojnë fatin e Hitlerit të Gjermanisë naziste të asaj kohe dhe të Napoleon Bonapartit të Francës që tentuan pa sukses të pushtonin Rusinë në të kaluarën.

“Tani pasojat do të jenë shumë më tragjike. Ata mendojnë se lufta është film vizatimor”, shtoi Putin.

Agresioni ushtarak ndaj Ukrainës ka shkaktuar përçarjen më të madhe mes Rusisë dhe Perëndimit që nga viti 1962.

Sipas tij, qytetarët e Rusisë janë bërë viktima të asaj që ai e cilësoi “ruso-fobia.”

“Pa një Rusi të fortë dhe sovrane, nuk mund të ketë një rend të qëndrueshëm botëror,” shtoi Putin.

Ndërsa, sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Putin tha se ato janë të interesuara të negociojnë vetëm kur shohin hapësira për të përfituar.