Vladimir Putin bëri një kërcënim të ri për Perëndimin, duke thënë se çdo vend që do të ndërhyjë në Ukrainë do të përballet me një përgjigje ushtarake të “rrufeshme”. “Ne i kemi të gjitha mjetet për këtë, që askush tjetër nuk mund të mburret se i ka… do t’i përdorim, nëse është e nevojshme”, tha ai ndërsa shtoi: “Ne i kemi marrë tashmë të gjitha vendimet për këtë”.
Paralajmërimi i tij vjen në një kohë kur vendet perëndimore e kanë rritur mbështetjen për Ukrainën gjatë ditëve të fundit. Dje, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u zotua të lëvizë çdo gur për t’u siguruar që Ukraina ta mundë Rusinë.
Dhe ditët e fundit, ka pasur një numër në rritje të premtimeve për të shtuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, përfshirë njoftimin e Gjermanisë se do të dërgojë 50 tanke kundërajrorë. Britania e Madhe pritet gjithashtu të bëjë thirrje për t’i ofruar Ukrainës avionë luftarakë.
Në fillim të kësaj jave, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Perëndimi “po i hedh benzinë zjarrit” duke i dhënë Ukrainës fuqi luftarake dhe tha se konflikti mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.
Paralajmërimi i Putin vjen pasi tensionet u rritën më tej këtë të mërkurë, pasi kompania ruse e energjisë Gazprom ndërpreu furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, duke thënë se kjo është për shkak se vendet refuzuan të ndiqnin rregullin e ri të Moskës për të paguar gazin në rubla.