Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vijon me komplimentet në drejtim të homologut amerikan, Joe Biden. Pas samitit në Gjenevë, shefi i Kremlinit e konsideroi atë shumë profesionist dhe lider të aftë.
“E përsëris, ai është i fokusuar. Ai e kupton atë që ai dëshiron të arrijë dhe e arrin atë me shumë shkathtësi. Ju mund ta ndjeni lehtë atë”, tha Putin.
Putin dhe Biden u dakordësuan në takimin e parë për të mbajtur bisedime të vazhdueshme për kontrollin mbi armët dhe sigurinë kibernetike. Presidenti rus, i cili ishte i pari që informoi gazetarët, tha se takimi ishte konstruktiv, pa armiqësi dhe ka nxjerrë në pah dëshirën për të kuptuar njëri-tjetrin.
“Ky imazh i tij mund të duket dekurajues, por nuk ka arsye që të jetë kështu pasi presidenti Biden është një profesionist. Dhe ju duhet të jeni shumë preciz ndërsa punoni me të për të mos humbur asgjë. Ai nuk humbet asgjë”.
Pavarësisht frymës pozitive, nuk ka pasur ftesa zyrtare për vizitë në Uashington apo Moskë. Biden pas takimit tha se nuk ka zëvendësim për dialogun ballë për ballë dhe se agjenda e tij nuk është kundër Rusisë, por për popullin amerikan.