Presidenti rus, Vladimir Putin mori vaksinën COVID-19 të martën.
Lajmi u bë publik nga zëdhënësi i tij Dmitry Peskov, i cili tha se Putin mori vaksinën jo në prezencë të kamerave sepse “kur bëhet fjalë për t’u vaksinuar në kamera, ai kurrë nuk e ka mbështetur atë, nuk i pëlqen kjo”.
Peskov tha se presidenti rus ndjehej mirë edhe pas marrjes së dozës.
Zëdhënësi i Kremlinit refuzoi të zbulojë se cilën nga tre vaksinat e autorizuara për përdorim në Rusi ka marrë Putini, duke thënë se të treja janë “absolutisht të mira, të besueshme, efektive“.
Pavarësisht se vaksina është në dispozicion për këdo mbi moshën 18-vjeç, vetëm një përqindje e vogël e popullsisë ka marrë vaksinën në Rusi.
Vetëm 6.3 milionë njerëz, ose 4.3% e popullsisë 146 milionëshe e Rusisë, kanë marrë të paktën një dozë vaksine.
Sondazhet nga qendra e pavarur Levada treguan nivele të larta të hezitimit të vaksinave me vetëm 30% të rusëve që thanë se ishin “të gatshëm” për të marrë një dozë.