Bota Putin ndryshon doktrinën për përdorimin e armëve bërthamore pas vendimit të Biden...

Putin ndryshon doktrinën për përdorimin e armëve bërthamore pas vendimit të Biden për raketat

Vendimit të Shteteve të Bashkuara për të lejuar Ukrainën të sulmojë në thellësi të territorit rus, Presidenti Vladimir Putin i përgjigjet me një paralajmërim të fortë, duke ndryshuar doktrinën bërthamore.

Shefi i Kremlinit ka ulur pragun e kërcënimeve që do të çonin në përdorimin e këtyre armatimeve, në doktrinën që njihet formalisht me emrin “Themelet e politikës shtetërore në fushën e parandalimit bërthamor”. Sipas versionit të përditësuar, Moska do të konsideronte mundësinë e një sulmi nuklear nëse ajo ose aleati i vet Bjellorusia do të përballeshin me agresion, përmes përdorimit të armëve konvencionale që krijojnë rrezik kritik për sovranitetin apo integritetin e tyre territorial.

Doktrina e mëhershme parashikonte përdorimin e armëve bërthamore në rastin e një sulmi nuklear nga një shtet armik ose me armë konvencionale që kërcënon ekzistencën e shtetit. Modifikime të tjera përfshijnë konsiderimin e çdo sulmi konvencional ndaj Rusisë nga një fuqi jobërthamore, që mbështetet nga një fuqi bërthamore si një sulm të përbashkkët.

Çdo sulm masiv ajror me avionë, raketa Cruz dhe dronë që do të kalonin kufijtë e Rusisë mund të nxiste një përgjigje nukleare. Ndryshimet u propozuan në shtator, por u firmosën të martën, kur u shënuan 1 000 ditë luftë në Ukrainë.

Teksa njoftoi ndryshimet, Kremlini u bëri thirrje vendeve të tjera t’i studiojnë ato. “Është një hap shumë i rëndësishëm”, tha zëdhënësi Dmitry Peskov.

Të hënën, Moska paralajmëroi për kundërpërgjigje të prekshme e të përshtatshme lidhur me vendimin e Presidentit Biden për të lejuar Ukrainën të përdorte raketat ATACMS kundër territorit rus.

Për Moskën kjo do të nënkuptojë përfshirje të drejtpërdrejtë të Uashingtonit dhe satelitëve të tij kundër Rusisë. Por, Kremlini tha gjithashtu se paqja do të ishte e mundur nëse Trump do ti dëgjojë shqetësimet e Rusisë.