Rusia dëshiron të shmangë konfliktin me Ukrainën dhe Perëndimin, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin në konferencën vjetore me gazetarët.
Putin tha se Rusia kishte marrë një përgjigje pozitive ndaj propozimeve të sigurisë që i dorëzoi Shteteve të Bashkuara këtë muaj dhe se negociatat do të fillonin në fillim të vitit të ardhshëm në Gjenevë.
“Për momentin, shohim reagime pozitive nga Perëndimi. Partnerët tanë amerikanë thanë se janë gati për këtë diskutim në fillim të vitit të ardhshëm në Gjenevë. Tashmë janë zgjedhur përfaqësues nga të dyja palët. Unë shpresoj se situata rreth Ukrainës do të zhvillohet në këtë mënyrë”, tha ai.
Rusia hodhi poshtë akuzat e Ukrainës dhe të SHBA-së se mund të jetë duke përgatitur një pushtim të Ukrainës që në fillim të muajit të ardhshëm nga dhjetëra mijëra trupa ruse të vendosura brenda kufirit.
Putin thotë se ka nevojë për premtime nga Perëndimi, për të mos kryer aktivitet ushtarak të NATO-s në Evropën Lindore, sepse siguria e saj kërcënohet nga lidhjet në rritje të Ukrainës me aleancën perëndimore dhe nga mundësia që raketat e NATO-s të vendosen kundër saj në territorin ukrainas.
“Ne kemi përshtypjen se qeveria e Ukrainës po përgatit operacionin e tretë ushtarak dhe po na paralajmëron – mos u angazhoni, mos i mbroni ata njerëz. Nëse e bëni do të ketë sanksione të reja. Por ne duhet të mendojmë për sigurinë tonë nga një perspektivë e gjatë, jo vetëm sot ose javën e ardhshme. Ne duhet të mendojmë për perspektivën më të afërt”, deklaroi Putin.