Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi se do të ashpërsojë sulmet e rënda ndaj Ukrainës, nëse ajo furnizohet me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi. “Nëse ata japin armë të tilla, atëherë ne do të nxjerrim përfundimet e duhura dhe do të përdorim mjetet tona të ‘asgjësimit’, prej të cilave kemi mjaftueshëm, për të goditur ato objekte që nuk i kemi sulmuar deri tani“, tha Putini në një intervistë për televizionin shtetëror “Rosiya 1”. Qëllimi i dërgimit të armëve perëndimore është që ta zgjasin sa më shumë konfliktin në Ukrainë, tha ai.
Sa u përket njoftimeve nga SHBA-ja për furnizim të Ukrainës me raketahedhës shumëfishësh ultramodernë të tipit Himars, kreu i Kremlinit reagoi i shpenguar, duke thënë se për Ukrainën kjo nuk ndryshon asgjë thelbësore në shpërndarjen e forcave.
Tanke moderne për Ukrainën?
Sipas një njoftimi të gazetës “El País” Spanja dëshiron të dërgojë në Ukrainë tanke gjermane të tipit Leopard 2 A4 dhe si dhe raketa kundërajrore. Duke cituar informacione nga Ministria e Mbrojtjes në Madrid gazeta shkruan, se bëhet fjalë për tanke të nxjerrë jashtë përdorimit, që fillimisht duhet të rikthehen në gjendje luftimi. Trajnimi i ushtarëve ukrainas me këto tanke do të bëhet fillimisht në Letoni dhe më vonë në Spanjë.
Kjo është hera e parë që Ukraina furnizohet me tanke moderne perëndimore në luftën kundër ushtrisë ruse. Deri më sot politikanët e Partisë Socialdemokrate (SPD), parti në pushtet në Gjermani, kishin theksuar se ekziston midis vendeve të NATO-s një marrëveshje joformale për të mos dërguar armë të tilla në Ukrainë.