Sanksionet e rënda të perëndimit, kanë shqetësuar Rusinë. Presidenti Vladimir Putin, diskutoi me zyrtarët më të lartë të qeverisë së tij lidhur me ekonominë, teksa zemërimi është i dukshëm në fjalët e tij.
“Ju kam mbledhur për të diskutuar për çështjet ekonomike dhe financiare që kam biseduar me kryeministrin Mishustin, natyrisht duke pasur në mendje sanksionet e të ashtuquajturit komunitet perëndimor, apo siç i kam cilësuar në fjalimin tim, “perandorinë e gënjeshtrave”, që po përpiqet t’i zbatojë kundër vendit tonë”, tha Putin.
Sqarimet e mëtejshme i dha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai tha se Rusia ka planifikuar një rrugëdalje nga sanksionet e perëndimit.
Duke i konsideruar masat ndëshkuese ekonomike shumë të ashpra, ai tha se qeveria ka potencialin e nevojshëm për të kompensuar dëmet. Madje, po tenton që t’i kundërvihet perëndimit, duke vendosur kufizime.
Sipas raportimeve, Rusia bllokoi hapësirën ajrore për linja udhëtimesh nga 36 shtete të botës, duke përfshirë fluturimet nga Britania, Gjermania, Spanja, Italia dhe Kanadaja.
Kjo erdhi pasi edhe Bashkimi Europian, mbylli hapësirën ajrore për linja ruse. Sakaq, Kremlini njoftoi se vendosja e raketave bërthamore në gatishmëri të lartë është bërë në kundërpërgjigje ndaj ministres së Jashtme britanike.
“Ka pasur deklarata nga përfaqësues të niveleve të ndryshme për një situatë të mundshme konflikti, madje dhe përplasje mes NATO-s dhe Federatës Ruse”, tha Peskov.