Bota Putin reagon për vdekjen e Prigozhin: Ishte një njeri me fat të...

Putin reagon për vdekjen e Prigozhin: Ishte një njeri me fat të trazuar, por i talentuar

Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë komentet e para që pas përplasjes së aeroplanit me të cilin po udhëtonte kreu i Wagner.

Sipas raportimeve, Putin është shprehur se Yevgeny Prigozhin ishte një “burrë me fat të trazuar, por i talentuar.”

Putin u dërgoi të enjten ngushëllime familjarëve të “punonjësve të Wagner-it” që ndodheshin në bordin e aeroplanit që u rrëzua të mërkurën.

“Së pari dua të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e të gjitha viktimave, kjo është një tragjedi”, tha ai.

“E njihja Prigozhinin prej një kohe të gjatë, që në fillim të viteve 1990. Ishte njeri me fat të trazuar dhe bëri gabime të rënda në jetë.  Arrti rezultatet që i duheshin për veten dhe, kur unë ia kërkova, edhe për kauzën e përbashkët, si në këto muajt e fundit. Ishte njeri i talentuar, biznesmen i talentuar. Punoi jo vetëm në vendin tonë dhe punoi duke arritur rezultate, por edhe jashtë shtetit, veçanërisht në Afrikë”, tha Putin.

Deklaratat, presidenti rus i bëri gjatë një takimi me kreun e Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetsk, Denis Pushilin në Kremlin.

“Do të doja të theksoja se këta njerëz kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në kauzën tonë të përbashkët në luftën kundër regjimit neonazist”, shtoi lideri rus, duke iu referuar luftës së Rusisë në Ukrainë.

Putin bëri po ashtu të ditur se Komiteti Hetues i Rusisë ka nisur një hetim për rastin.