Presidenti rus, Vladimir Putin, u tha të mërkurën zyrtarëve që të nisnin vaksinimin masiv të koronavirusit nga java tjetër, duke shpallur vaksinën e prodhuar nga Rusia si më të mirën në botë.
“Unë ju kërkoj të filloni vaksinimin masiv të të gjithë popullsisë javën e ardhshme. Vaksina ruse është më e mira në botë”, u tha Putin zyrtarëve në një takim televiziv të qeverisë.
Rusia në gusht regjistroi Sputnik V, disa muaj përpara konkurrentëve perëndimorë dhe para fillimit të provave klinike në shkallë të gjerë.
“Falë Zotit, vaksina jonë nuk kërkon kushte ekstreme gjatë transportit. Kjo është shumë më e thjeshtë dhe më efektive”, shtoi ai, duke iu referuar vaksinave të bëra nga Perëndimi.
Putin tha se Rusia duhet të bëjë gati infrastrukturën përkatëse për të rritur prodhimin e vaksinës, të cilën Moska po e promovon në vendet e tjera si më të lira dhe më të lehta për t’u transportuar sesa vaksinat e tjera.
Zëvendëskryeministrja Tatyana Golikova, e cila është përgjegjëse për luftën kundër koronavirusit, i tha Putinit gjatë takimit se Rusia ishte gati të niste vaksinimin masiv nga e hëna e 18 janarit.
Rusia filloi vaksinimet me Sputnik në fillim të dhjetorit edhe pse ishte ende në fazën e tretë të provave klinike.
Vendi në muajt e fundit është goditur nga një valë e dytë e infeksioneve të koronavirusit, por Kremlini është përmbajtur nga futja e kufizimeve gjithëpërfshirëse si në fillim të pandemisë.