Bota Putin takohet me Erdogan: Turqia, e mbrojtur nga kriza e gazit që...

Putin takohet me Erdogan: Turqia, e mbrojtur nga kriza e gazit që ka kapluar Europën

Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut turk Rexhep Tajip Erdogan të mërkurën se Turqia është e mbrojtur nga kriza e gazit që ka kapluar Europën falë tubacionit të gazit Rrjedha Turke, i ndërtuar nga Rusia.

Në fillim të bisedimeve me Erdoganin në vendpushimin rus të Detit të Zi, Soçi, Putin falënderoi Presidentin e Turqisë për mbështetjen e tubacionit të gazit që vjen në Turqi nga Rusia, nën Detin e Zi, raporton Reuters.

“Dhe tani, kur shohim procese mjaft të vështira, të trazuara në tregun europian të gazit, Turqia ndihet absolutisht e sigurt dhe e qëndrueshme”, tha Putin për Rrjedhën Turke.

Planet e Moskës për të anashkaluar Ukrainën

Pjesët tokësore të tubacionit shtrihen më tej në Europën jugore dhe janë pjesë e planeve të Moskës për të anashkaluar Ukrainën, në eksportimin e gazit në tregjet evropiane.

Çmimet e referencës evropiane të gazit në qendrën holandeze TTF janë më shumë se katërfishuar që nga janari, për shkak të rezervave të ulëta në objektet e magazinimit të gazit, çmimeve të larta të karbonit në Bashkimin Evropian, dërgesave të ulëta të cisternave të gazit të lëngshëm dhe furnizimeve më të vogla ruse.

Takimi midis Putinit dhe Erdogan zgjati dy orë e 45 minuta, dhe vetëm pjesa hyrëse e takimit ishte e hapur për përfaqësuesit e mediave.

“Unë jam i bindur se është e dobishme të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet turko-ruse në baza ditore,” tha Erdogan.

Udhëheqësit e të dy vendeve diskutuan një numër çështjesh të rëndësishme dypalëshe dhe rajonale, përfshirë ngjarjet aktuale në Siri.