Presidenti rus Vladimir Putin priti homologun turk, Rexhep Taip Erdogan, në qytetin e Soçit, në një takim që ka në fokus eksportet e drithërave në Detin e Zi.
“Nëse dëshiron mund të vish këtu për pushime. Është shumë bukur”, ishin fjalët e Putin teksa i uroi mirëseardhjen liderit turk. Më pas, numri një i Kremlinit tha se do të diskutonin mbi situatën në Ukrainë dhe se Rusia ishte e gatshme për bisedime mbi marrëveshjen e grurit, nga e cila u tërhoq në muajin korrik.
Gjithashtu, Erdogan theksoi se korridori i eksportit të drithërave ishte çështja më e rëndësishme në takimin me putin dhe se mesazhi pas bisedimeve do të ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara. Do të flitet gjithashtu mbi një propozim nga Moska për të furnizuar Turqinë me 1 milion ton grurë, i cili më pas do t’i shpërndahet vendeve më në nevojë, me asistencën financiare të Katarit.
“Kundërofensiva ukrainase ka dështuar”
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se kundërofensiva e Ukrainës, që zgjat prej 3 muajsh, ka dështuar.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Soçi me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan, ai iu përgjigj kështu një pyetjeje mbi situatën në terren në Ukrainë: “Kundërofensiva ukrainase nuk ka ngecur, por ka dështuar. Të paktën kështu duket sot për sot. Të shohim se çfarë do të ndodhë më tej. Shpresoj që dështimet e tyre të vijojnë”.
Putin shtoi se Rusia kurrë nuk i ka refuzuar bisedimet e paqes me Ukrainën, duke thënë se këtë gjë ia ka konfirmuar edhe Erdoganit: “Dua të nënvizoj se Rusia nuk i ka refuzuar kurrë bisedimet e paqes me Ukrainën. Dhe as tani nuk i refuzojmë. Zoti President (duke iu referuar Erdoganit) e ka ngritur çështjen gjatë takimit tonë të sotëm dhe unë ia kam konfirmuar këtë”.