Presidenti i Rusisë Vladimir Putin pritet të njohë pavarësinë e dy rajoneve rebele në lindje të Ukrainës, bëri me dije Kremlini zyrtar, duke shkelur protokollin e vitit 2015 që i dha fund konfliktit në Donbas.
Vendimi i Putinit për të marrë në konsideratë njohjen e rajoneve separatiste, të ashtuquajturat Republika Popullore të Donetskut dhe Luhanskut, kërcënon t’i hedhë benzinë zjarri, me sanksionet kundër Rusisë të përgatitura tashmë nga Brukseli.
“Sigurisht, nëse ka aneksim, do të ketë sanksione. Dhe nëse ka një njohje, unë do t’i vendos sanksionet në tryezë dhe ministrat do të vendosin”, tha Josep Borrell, kryediplomati i BE-së, në fund të një takimi ministror në Bruksel.
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë se ishin “të zhgënjyer” nga vendimi i Vladimir Putin për të njohur republikat separatiste të Ukrainës lindore.
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kërkuan që këshillat e sigurisë të vendeve të tyre të mblidhen për takime urgjente lidhur me lajmet nga Kremlini.