Bota “Putin zgjodhi luftën”, Biden shpall sanksionet: Do ta zhdukim Rusinë nga ekonomia...

“Putin zgjodhi luftën”, Biden shpall sanksionet: Do ta zhdukim Rusinë nga ekonomia botërore

Vladimir Putin iu drejtua sërish kombit sot pasdite, duke deklaruar se Rusia ka qenë e detyruar të veprojë kundër Ukrainës dhe se gjithmonë ka qenë e vetëdijshme për sanksionet që do të vinin si pasojë.

“Ne të gjithë e kuptojmë botën ku jetojmë dhe jemi të përgatitur në një mënyrë ose tjetër, për atë që po ndodh për sa i përket politikave të sanksioneve”, tha Putin gjatë një deklarate para liderëve të biznesit në Moskë,  – “Rusia mbetet pjesë e ekonomisë globale”.

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, deklaroi se homologu i tij rus Vladimir Putin mban përgjegjësi të plotë për sulmin ndaj Ukrainës dhe se Rusia do të përballet me pasoja.

“Putini është agresori. Putini e zgjodhi këtë luftë. Dhe tani ai dhe vendi i tij do të mbajnë pasojat”, tha Biden në fjalën e tij nga Shtëpia e Bardhë të enjten.

Presidenti amerikan shpalli sanksionet e reja që do të vendosen kundër Rusisë teksa shtoi se SHBA nuk është e vetme, por se 27 shtetet anëtare të BE si dhe vendet e G7 do të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

Do të jetë fusha bankare dhe financiare ajo që sipas tij do të goditet më shumë, me asete të bllokuara që shkojnë deri në 1 trilion dollarë, por edhe çdo mundësi investimi rus në dollarë.

“Do të kufizojmë mundësitë që Rusia të bëjë pjesë në ekonominë botërore. Të gjitha vendet do t’i vënë sanksione. Sot godasim bankat ruse për 3 trilionë dollarë. Dhe jemi të gatshëm të bëjmë më shumë”, tha Biden. Në listën e zezë përfundojnë edhe katër banka të tjera shtetërore ruse, mes tyre edhe Vtb, njëra nga më të mëdhatë e vendit.

Presidenti amerikan ritheksoi se ushtarët amerikanë nuk do të ndërhyjnë në territorin ukrainas, por do të merren masa për të siguruar vendet aleate të NATO-s, që artikulli 5 që parashikon ndërhyrje ushtarake në qoftë se një anëtar i Aleancës sulmohet, do të respektohet menjëherë.

Biden paralajmëroi se sulme kibernetike të mundshme do të marrin përgjigje të forta. Presidenti amerikan shtoi në fund se sipas tij, “Putin ka ambicie më të mëdha se Ukraina, ai do të rikthejë Bashkimin Sovjetik. Diçka që shkon në drejtim të kundërt me atë ku po shkon bota”.

Sanksionet e shpallura nga Biden:

Kufizimi i mundësive të Rusisë për të bërë biznes me dollarë, euro, paund dhe jen, si dhe për të qenë pjesë e ekonomisë globale.

Të ndalohet financimi dhe zgjerimi i ushtrisë ruse.

Dëmtimi i mundësisë për të garuar në ekonominë e teknologjisë së lartë të Shekullit 21.

SHBA sanksionon banka ruse që së bashku kanë rreth $1 trilionë në asete.