Opinione Putini dhe fundi i perandorisë që themeloi Pjetri i Madh

Putini dhe fundi i perandorisë që themeloi Pjetri i Madh

Nga Dritan Hila

Dikur Von Moltke, shef i shtabit të perandorisë gjermane, thoshte se planet e luftës nuk janë të vlefshme më shumë se pesë minutat e para të betejës.

Mesa duket kjo ka vlejtur edhe për shtabin rus.

Është e vërtetë që pushtimi i Ukrainës, nëse rusët ia dalin për katër pesë javë, ende mund të quhet “Blitzkrieg” dhe i suksesshëm, por kjo vlen për kutin e luftërave të dikurshme.

Vladimir Putin në shtatë ditët e para humbi disa beteja.

Së pari humbi betejën me zemrat e ukrainasve. Reagimi i tyre ishte i papritur për planet e shtabit rus, të cilët prisnin në mos lule, të paktën apati. Shpresonin se njerëzit do të ishin të lodhur nga korrupsioni dhe oligarkët që e kishin kapur për fyti këtë vend si asnjë tjetër në ish-lindjen komuniste. Por ndodhi e kundërta edhe për parashikimet e perëndimorëve. Dhe kur ky refuzim i pushtimit rus ndodh në territore ukrainase që kanë shumë popullsi ruse, imagjino si do rritet në territoret tradicionale rusofobe të Ukrainës Perëndimore.

Një mit tjetër që u rrëzua ishte ai i Ushtrisë së Kuqe. Pas ndërhyrjes në Çeçeni, Gjeorgji, Krime dhe Donbas, ushtria ruse kishte krijuar mitin e pathyeshmërisë. Mendohej që derisa ia kishte dalë me sukses nga një ushtri pothuajse bashibozuke në Çeçeni, me këpucë të grisura në Gjeorgji dhe pastaj moderne në Krime, Ukrainën do ta rrëzonte brenda dy-tre ditësh.

Pavarësisht se urdhëri ishte që të tregohej kujdes me civilët, frenimi tregoi një moskoordinim mes shërbimeve sekrete dhe ushtrisë ku secila ka fajin e saj.

Por mbi të gjitha tregoi se Armata e Kuqe nuk mund t’ia dalë me ushtri shumë më të mëdha numerikisht dhe të mirëtrainuara e mirëarmatosura të NATO-s. Do mjaftonte ajo polake për të frenuar ambiciet e shefit të saj.

Pasja e armëve bërthamore dhe territori i pafund ende i jepnin Rusisë imazhin e një fuqie globale. Por ky është një kusht i nevojshme por jo i mjaftueshëm dhe nuk të bën aspak një fuqi globale. Përndryshe të tilla do të ishin edhe Kina, Koreja e Veriut, Pakistani apo qoftë Britania dhe Franca.

Lufta e Ukrainës vërtetoi edhe një herë tezën e Obamës se “Rusia është një fuqi rajonale”, dhe hoqi çdo iluzion të krijuar pas Krimesë dhe Sirisë.

Kërcënimi i Putin për përdorimin e armëve bërthamore ka trembur shumë njerëz. Në fakt tregoi se vetë shefin e rusëve e kishin lëshuar nervat. Të gjithë e dinë se perëndimi nuk do ti jepte një shkak që ti përdorë derisa ai mos të prekë kufijtë e tij që janë edhe ato të NATO-s. Dhe mesa duket Putin nuk ka forcë të dalë në perëndim të Ukrainës, le pastaj të planifikojë për të prekur vendet Balltike apo Poloninë, çka do ti jepte shkas NATO-s të ndërhynte dhe atij të përdorte raketat bërthamore.

Teza e Putin për “vëllezërit sllavë” si boshti i një pansllavizmi të ringjallur dhe mbështetur nga armët ruse, nuk funksionoi.

Rezistenca ukrainase është dëshmi se jo të gjithë sllavët kanë qejf të hipin në karrocën e Putinit. Imagjino pastaj polakët. Mbase kanë mbetur serbët, por ata tashmë nuk bëjnë as si shkrepse për ti vënë zjarrin Ballkanit.

Putin do kishte qenë më mirë që ta kishte lënë botën ta mendonte si të fortë sesa ti tregonte që tashmë Rusia nuk është më as ajo e carëve dhe as e komunistëve. Sulmi mbi Ukrainë është fundi i ciklit të perëndimit të Perandorisë Ruse, alias BRSS, i nisur në vitet ‘90-të. Është e ngjashme me fundin e perandorisë otomane, britanike apo franceze, që luftëra si ajo ballkanike, e Indisë apo Indokinës, i ridimensionuan nga perandori botërore në fuqi rajonale. Pas kësaj lufte, Rusia edhe në ja daltë të pushtojë përkohësisht Ukrainën, ky nuk do jetë fillimi i një perandorie të re por fundi i asaj që e themeloi treqind vite më parë Pjetri i Madh. Kurse Putini zgjodhi që të ishte cari i fundit që do varrosë perandorinë dhe jo presidenti i parë i republikës.

/dritare.net