Një zyrtar Perëndimor ka konfirmuar se Rusia ka riorganizuar komandën drejtuese të ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë, raporton BBC.
Gjenerali Aleksandër Dornikov, i cilësuar si “Kasapi i Sirisë”, është urdhëruar nga Kremlini që të marrë në kontroll të gjithë rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës.
Nga viti 2016, Dornikov ka drejtuar ndërhyrjen brutale të Rusisë në Lindjen e Mesme duke ndihmuar presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad të mundë kundërshtarët në luftën civile.
Gjatë kësaj kohe, armët kimike dhe bombardimet pa kufizime janë përdorur duke shkaktuar mijëra civilë të vrarë.
Gjenerali 60-vjeçar besohet se qëndron pas sulmit me raketa në stacionin e trenit në Kramtorsk, ku u vranë të paktën 52 civilë në përpjekje për t’u larguar drejt pjesës perëndimore të Ukrainës.
Dornikovit gjithashtu i është dhënë përgjegjësia për kontrollin e Detit të Zi dhe Krimesë, që u aneksua nga Rusia në 2014.
Raportet tregojnë se Putini kërkon që forcat e tij të marrin në kontroll pjesë të mjaftueshme të Ukrainës deri më 9 maj, që të deklarojë fitoren në përvjetorin e dorëzimit të nazistëve gjermanë në 1945, raporton ‘Daily Mail’.
Kundër parashikimeve, forcat e Kievit ia kanë dalë t’i bëjnë ballë ushtrisë ruse në disa rajone të vendit.
Me dobësimin e forcave ruse, ka dyshime se Moska nuk do të mundet dot të mbajë në kontroll pjesë të mëdha të Ukrainës për shkak të kryengritjeve lokale dhe kundër sulmeve ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës përllogarit se 19 mijë trupa janë vrarë që prej nisjes së pushtimit më 24 janar.