Suedia ka një popullsi prej 10 milionë banorësh, dhe që nga përhapja e virusit COVID-19, janë regjistruar 15 mijë raste të infektuarish, ku 1500 prej tyre kanë humbur jetën prej këtij virusi. Teksa në shtetet fqinje të tyre, u mbyllën shkollat, kufijtë, lokale dhe biznese, Suedia i surprizoi të gjithë duke mos marrë asnjë masë kufizuese dhe duke lejuar jetën publike të vazhdonte normalisht.
Strategjia e Suedisë, e cila konsistonte në lejimin e popullsisë për t’u infektuar me virusin COVID-19, në mënyrë që të fitohej imunitet nga pjesa më e madhe e saj, është debatuar gjatë.
Disa ekspertë e kanë quajtur të rrezikshme këtë strategji, por tashmë shefi i epidemiologjisë në Suedi, doktor Anders Tegnell, deklaroi se kjo strategji po jep frytet dhe brenda disa javësh “imuniteti i tufës”, siç quhet ndryshe, do të arrihet në Stokholm.
Imuniteti i masës, i cili zakonisht bëhet nëpërmjet vaksinimit, arrihet atëherë kur 60% e popullsisë fiton imunitet ndaj një virusi.
Megjithatë, pa vaksinë ndaj koronavirusit, shkencëtarët po shohin nëse ekspozimi dhe rikuperimi nga COVID-19 çon drejt rritjes së imunitetit ndaj kësaj sëmundjeje.