Zgjerohet skandali i korrupsionit në Parlamentin Europian. Hetimi prej një viti i prokurorisë belge mund të nxjerrë në dritë lidhje të tjera lobimi mes eurodeputetëve dhe vendeve të Gjirit Persik.
Mediat greke shkruan se në verifikim në autoritetet belge janë rreth 60 ligjvënës të Parlamentit Europian. Prokuroria belge nuk ka dhënë informacione të detajuara, por në faqen zyrtare të institucionit të drejtësisë janë publikuar disa fotot, ku shihen miliona euro të sekuestruara.
Dyshohet se eurodeputetët kanë përfituar nga lobimet e vendeve të Gjirit Persik lidhur me disa ligje të BE-së dhe çështje tregtare.
Pak ditë më parë policia belge arrestoi zëvendëspresidenten Eva Kaili, ish-eurodeputetin Antonio Panzeri dhe Françesco Giorgi, burri i zëvendëspresidentes të Parlamentit Europian. Prokurorët hedhin dyshime se zyrtarët e BE kanë përfituar ryshfet nga Katari, për çështje që lidhen me favorizimin e linjave ajrore të këtij vendi.
Eurodeputetja Eva Kaili ka mohuar të jetë përfshirë në çështje korruptive. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, sipas mediat italiane ka pranuar të bashkëpunojë. Ai ka deklaruar se ka marrë pjesë në disa takime të organizatave nga Katari dhe Maroku, por vetëm me qëllimin për bashkëpunim sipas ligjeve dhe jo korrupsion.
Në hetimin belg janë përfshirë dhe shërbimet sekrete të pesë vendeve të Bashkimit Europian.