Nga Shpëtim Nazarko
Kur heroinën kombëtare të Francës, Zhan D’Arkën, e pyeti njëherë një nga miqtë e saj, pse thoshte gjithnjë të vërtetën dhe nuk kishte frikë prej saj, ajo u përgjigj, thjesht:
Sepse të vërtetën, budallenjtë nuk e kuptojnë dhe të ligjtë, nuk e besojnë. Kështu që duke e thënë atë, shpëton nga dy kategoritë e këtyre njerëzve.
Po kush është kjo e vërtetë, që Basha duhet ta thoshte qartë, për të tijët?
Nëse ne bashkohemi me LSI-në, në një listë, ata na kërkojnë shumë deputetë dhe një pjesë të këtyre, i kërkojnë në zona të sigurta. Kjo do të dëmtonte PD-në.
Nëse ne dalim të ndarë me LSI-në dhe të bashkohemi në fund, kjo do të thotë që ta nisim garën, me rreth 100 mijë vota ose gati dhjetë deputetë më pak se kundërshtari. Kjo sepse, siç u provua më 2009, kur PS plus LSI, ishin të ndarë ne të PD-së, ishim rreth 100 mijë vota më pak se ata dhe prapë, morëm 70. Kjo epërsi erdhi tek ne, për shkak të sistemit zgjedhor, që është prapë dhe tani. Pra, jemi të detyruar që, nëse dalim të ndarë, duhet të kemi mbi 100 mijë vota se kundërshtari. Vetëm pasi të dalim mbi 100 mijë vota mbi ta, atëherë mund të fitojmë. 30 vjetët e kaluara, nuk tregojnë se kemi arritur kurrë epërsi mbi socialistët, në këto numra…
Pra, si thoni, të lozim bashkë, a të ndarë?
Kam idenë, se kjo dilemë përcaktonte në shumë aspekte zgjedhjen e Bashës. Çfarë zgjodhi ai, të gjithë e dinë. Çfarë e ka detyruar të mos ta pozojë problemin kështu, është një ekuacion me shumë të panjohura. Po a besonte ai, se mund të dilte bashkë me aleatin e tij, mbi 100 mijë vota më shumë se kundërshtari – këtë dilemë, besoj se duhet ta ketë shkuar nëpër mend… Ata që do të duhet të analizojnë sot, numrin e votave PD plus LSI, për të kuptuar çfarë duhesh bërë realisht, e kuptojnë pse në pikëpamje taktike, e kanë humbur luftën.
Lexuesi, ndoshta mund të përgjigjet më qartë, apo ta analizojë më mirë se unë, këtë dilemë. Vetë, do ta zgjidhja problemin, sipas Zhan D’Arkës.