Nëntë muaj pas të shtënave me armë drejt makinës së ish-deputetit Armando Prenga, policia ka arrestuar autorin e dyshuar, 30-vjeçarin F.I. banues në Fushë-Kuqe të Kurbinit.
Operacioni për kapjen e tij u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Sigurisë (FKS).
30-vjeçari ishte shpallur në kërkim kombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” më 25 Maj 2023 për veprat penale “Vrasje me dashje’ mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese e municioneve”.
30-vjeçari akuzohet se më 17 Maj 2023 qëlloi me armë në drejtim të makinës në lëvizje që drejtohej nga ish-deputeti Armando Prenga 49 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.