Aktualitet Qëlloi me armë policinë, 41-vjeçarit i gjendet drogë, 30 granata dhe mbi...

Qëlloi me armë policinë, 41-vjeçarit i gjendet drogë, 30 granata dhe mbi 13 mijë fishekë në shtëpi

Dyzetenjëvjeçari që kundërshtoi me armë kontrollin e policisë në Elbasan rezultoi se mbante të fshehur mbi 13,500 fishekë, 30 granata dhe lëndë narkotike.

Policia njoftoi pasditen e së premtes se Josif Kavaja kishte në shtëpi disa arka me fishekë të modelit 57, më saktësisht 13,500 fishekë të tillë, 70 fishekë pistolete. Po kështu atij iu gjetën dy kilogramë kanabis sativa dhe një sasi farash.

Gjatë kontrollit të banesës u gjet edhe pushka me të cilën Kavaja kundërshtoi punonjësit e policisë rreth orës 16:00 të ditës së enjte, disa aparate celulare dhe një sasi parash.

Kavaja qëlloi me pushkë ndaj punonjësve të policisë, të cilët kërkuan të enjten t’i kontrollonin banesën pas dyshimeve të arsyeshme se ai mbante armë. Policia për këtë kontroll kishte edhe urdhër gjykate.

Pasi qëlloi policinë u deshën rreth 12 orë që Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Reparti për Eliminimin dhe Neutralizimin e Elementëve të Armatosur të ndërhynte duke e plagosur Kavajën e më pas arrestuar.

Gjatë kësaj kohe ekipi negociator nuk arriti të gjente dakordësinë e Kavajës për t’u dorëzuar, teksa ky i fundit ka shkëmbyer edhe një herë tjetër zjarr me ta.