Policia bën të ditur se është ekstraduar nga Parisi këtë të mërkurë shtetasi Shpëtim Kraja, 37 vjeç, i cili dy vite më parë qëlloi me armë zjarri ndaj dy policëve në fshatin Arrameras.
Po ashtu, ai akuzohet si bashkëpunëtor për kryerjen e 5 vjedhjeve.
“Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës, me homologët në Francë, është finalizuar procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit të arrestuar në Francë, Shpëtim Kraja, 37 vjeç, i lindur në Shkodër.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2022, Gjykata e Kurbinit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, si dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi Shpëtim Kraja, më datë 14.01.2022, në fshatin Arrameras, ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të 2 punonjësve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, të cilët i dhanë urdhër ndalimi, pasi 37-vjeçari lëvizte së bashku me 2 shtetas të tjerë, me një automjet tip “Benz”, të vjedhur në Vorë.
37-vjeçari akuzohet gjithashtu si bashkëpunëtor për kryerjen e 5 vjedhjeve të tjera”, njofton policia.