Një video e bërë publike në rrjetet sociale ku shfaqej një person duke qëlluar me kallashnikov nga një makinë luksoze teksa ishte me karvanin e dasmorëve, ka bërë që policia të nisë hetimet.
Ky person është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Ai është 21-vjeçari Klajdi Tafaj nga fshati Gjormë i Kurbinit, njofton policia.
Nga veprimet hetimore rezultoi se Klajdi Tafaj ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti, në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij, shtetasit M. T., ngjarje e ndodhur më datë 15 Gusht dhe pas disa ditësh e ka postuar videon në rrjetet sociale.
Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe kushëriri i autorit të dyshuar, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 21-vjeçarit Klajdi Tafaj, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.