Nga Sara Magniette dhe Danny Kemp
Poliglot dhe ish-diplomat, holandezi Frans Timmermans synon të shndërrohet në imazhin e ri të politikanit të fortë të Brukselit, nëse fiton postin e presidentit të Komisionit Europian, një post ambicioz ku nuk ka qenë kurrë kaq pranë.
Kandidat i familjes socialiste europiane, nipi i një minatori dhe djali i një diplomati, i rritur në një familje katolike në jug të Holandës, ai e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës jashtë vendit.
Ai u lind në 1961 në Mastriht, qyteti që mban vulën e identitetit të Bashkimit Europian me traktatin e 1992 që mban emrin e tij.
Frans Timmermans, 58 vjeç, studioi në Romë përpara se të fokusohej në botën e letërsisë franceze ku ndoqi studimet në Holandë dhe më pas studioi për të drejtën europiane në Universitetin e Nancy në Francë.
Për një periudhë ministër i Punëve të Jashtme, ai u zhvendos në Bruksel në 2014 duke u bërë në këtë mënyrë krahu i djathtë i Jean-Claude Juncker si zëvendëspresidenti i parë i Komisionit Europian.
Fillimisht i shpallur si personi përgjegjës për pjesën më të madhe në menaxhimin e detyrave të përditshme në institucion, Frans Timmermans iu desh të përballej me një mungesë korrektësie brenda ekipit Juncker, e vërteta e autoritetit të tij shumë shpejt ngjalli shumë pikëpyetje.
Ky personalitet rreth të gjashtëdhjetave, me mjekër gri, shpreson tashmë të dalë nga hija me marrjen e drejtimit të Komisionit Europian, ndërsa diskutimet për postet kyçe të institucioneve të BE-së priten të jenë të ashpra pas zgjedhjeve.
Një darkë pune mes të 28 liderëve të BE-së është planifikuar sot në mbrëmje për të shkëmbyer mendimet për emërimet e ardhshme.
”Qen sulmi”
“Timmermans kërkon të jetë imazhi i Europës, nuk ka dyshime për këtë gjë. Ai është shumë ambicioz dhe është kaq pranë qëllimit”, shprehet politologu Andre Krouwel.
Frans Timmermans flet rusisht, italisht, anglisht dhe gjermanisht përveç gjuhës së tij amtare.
”Njohja e mirë e gjuhëve dhe aftësia në debate e dallojnë atë si një politikan shumë kompetent”, pohon Amy Verdun, pedagoge e politikës europiane në Universitetin e Leidenit (perëndim të Holandës).
Aftësia e tij në oratori është përdorur shpesh nga Komisioni për të nxjerrë në pah dhe vlerësuar avantazhet dhe rëndësinë historike të Unionit Europian në këtë periudhë krize.
”Në krah të Michel Barnier (negociator i BE-së për Brexit) ne kemi nevojë për një ‘qen sulmi’ në BE për të folur për aspektet pozitive të Unionit”, shprehet Krouwel, i cili analizon partitë politike në të gjithë Europën.
”Ky dikush është Franc”, shton ai.
Timmermans është gjithashtu përgjegjës për procedurat e sanksioneve të ndërmarra ndaj Polonisë dhe Hungarisë të akuzuara për shkelje të shtetit të së drejtës.
Të ballafaquar me dështimin e bisedimeve me dy shtetet, holandezi nuk hezitoi të niste këtë procedurë të posaçme e krijuar së fundmi për të mundësuar forma konkrete reagimi përballë rreziqeve të vazhdueshme në një shtet anëtar.
Ndikimi Timmermans
Në 2002 ai dëshmoi se kishte rënë pre e ngacmimit seksual nga një prift pedofil gjatë fëmijërisë dhe, javën e kaluar, i kërkoi Kishës Katolike për të mos lënë pa ndëshkim këtë lloj krimi.
Babai i katër fëmijëve, ky sportdashës njihet si një person shumë i rezervuar në jetën private, megjithëse ai dëshmon imazhin e një individi pranë popullit.
Ai është përshkruar si një politikan ambicioz që e shtyn përpara ekipin e tij të punojë fort.
Me ose pa përkrahjen e tyre, gazetat holandeze u takuan në një pikë për të njëjtin konstatim, një ditë pas zgjedhjeve europiane, se prania e Frans Timmermans në strukturën e PvdA është një nga arsyet kryesore të fitores surprizë të laburistëve në Holandë.
Partia tejkaloi edhe sondazhet me fitoren e gjashtë vendeve në Parlamentin Europian duke lënë pas liberalët (VVD) e kryeministrit holandez, Mark Rutte si dhe populistët (FvD), të cilët mendohej të ishin fituesit.
Rezultate, që mediet holandeze e shpjegojnë nga ”efekti Timmermans”’.
”Ai bëri një fushatë të jashtëzakonshme dhe u sulmua nga të gjitha anët, nga ekstremi i majtë deri tek ai i djathtë”, thekson Andre Krouwel.
”Kjo ishte në favorin e tij, pasi shfaqi një këndvështrim kritik, por pro europian, që u mbështet nga zgjedhësit holandezë”, përmbyll arsyetimin Krouwel./ AFP/ATSH