Kandidati i PD për Qarkun e Tiranës, Agron Shehaj reagoi ndaj qëndrimeve të kryesuese së listës së PS, Luljeta Bozo sipas të cilës regjimi i Enver Hoxhës “ka më shumë anë pozitive sesa negative”. Shehaj, i cili ka krijuar Fondacionit Kujto që merret me viktimat dhe krimet e komunizmit, u shpreh se qëndrimet e Bozos janë të rrezikshme.
“Kam hezituar të flas për vlerësimin e Enver Hoxhës nga Luljeta Bozo, kryesueses socialiste për Tiranën, për të mos u dhënë rëndësi fjalëve të saj. Por mungesa e reagimit e shumë prej atyre që duhet të kishin reaguar, më bën të mos hesht. Fatkeqësisht, krimet e regjimit komunist nuk u denoncuan dhe dënuan asnjëherë siç do duhej. Për shqiptarët, që u vranë dhe u përndoqën nga regjimi nuk ka ende drejtësi. Historia mbi regjimin kriminal komunist nuk është shkruar dhe nuk studiohet ende në shkolla. Në këtë boshllëk të pafalshëm, deklarata si të zonjës Bozo janë të rrezikshme, sepse krijojnë përshtypjen, sidomos tek të rinjtë, se regjimi i Enver Hoxhës ishte normal”, tha Shehaj. Në reagimin e tij, Shehaj fton të gjithë të ndjekin arkivën onlinë të krimeve të komunizmit për të mësuar mbi aktivitetin kriminal të ish diktatorit.
“Në fakt, ai ishte regjim kriminal që i solli vetëm të këqija dhe dëme kombit shqiptar. Ju ftoj të ndiqni arkivën digjitale të krimeve të komunizmit ndërtuar nga një punë shumëvjeçare e kujto.al për të kuptuar aktivitetin kriminal të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij. Ne nuk duhet të harrojmë!”, mbylli reagimin Agron Shehaj.