Kryeministri Edi Rama e konsideroi si tejkalim ekstrem të forcës nga ana e efektivit të policisë vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
“Humbja e jetës së një djali 25-vjeçari nga tejkalimi ekstrem i forcës së një efektivi policie, ishte një tragjedi për familjen dhe një lajm tronditës për të gjithë shoqërinë. Pamundësia fizike për të qenë këtu i pranishëm ma imponoi shtyrjen në kohë të këtij mesazhi, sepse nuk mund ta bëja thjesht me gërma, pa zë, pa sytë drejtuar nga të gjithë ju”.
Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga punonjësi i forcave “Shqiponja” është e pashpjegueshme, u shpreh Rama, e ndërsa vrasja e të riut ka ngjallur zemërim në publik, kreu i qeverisë bën apel që të gjithë të ruajnë qetësinë dhe do të jetë drejtësia ajo që do të zbardhë këtë ngjarje.
“Efektivi i policisë ka vrarë një njeri në mënyrën më të pashpjegueshme deri më tani dhe krejt pa asnjë lidhje me ndonjë mision, operacion, apo objektiv të lidhur me aktivitetin e Policisë së Shtetit në atë vend dhe në atë orë shumë të vonë.
Por pavarësisht faktit se vrasja e një njeriu është kryer thjesht dhe vetëm nga një njeri tjetër, arma ishte e shtetit. Prandaj dhe ndjesa i takon shtetit, bashkë me angazhimin e zbardhjes së plotë dhe të ndëshkimit ligjor të autorit. Autori i kaluar menjëherë duarve të drejtësisë dhe me patjetër do të hetohet dhe do të gjykohet nga organet e drejtësisë në pavarësi e paanësi të plotë. Akti i tij ngjan fare i pakuptueshëm. Përveç se krej i paarsyetueshëm për aq sa di. Por sigurisht nuk jemi ne, por drejtësia që ka barrën e fjalës së fundit për shkallën e fajësisë së autorit përpara ligjit. Sado i madh është në këtë rast padurimi për ta vënë në vend drejtësinë, drejtësia ka nevojë për të hetuar gjithçka. Sapo e padiskutueshme të jetë fajësia e efektivit të policisë në sytë tanë, drejtësia ka nevojë ta dëgjojë edhe atë. Drejtësisë i duhet koha e saj, por ne ndërkohë është tejet e domosdoshme që të mos e humbasim kthjelltësinë e të mos lejojmë emocionet e më keq akoma kundërshtitë e shëmtuara politike të ngatërrojnë rrugën e reflektimit tonë”, tha Rama,
Rama shkoi sot për ngushëllim në familjen e të ndjerit Klodian Rasha. Gjatë deklaratës, Kryeministri zbuloi edhe se çfarë i ka thënë i ati i 25-vjeçarit të vrarë nga policia.
“Sapo kam zbritur në Tiranë, kam shkuar në familjen e të ndjerit. Jam prekur pa masë nga pritja e tyre dhe urtësia e fjalëve të babait të Klodianit. Asnjë lule e vetme nuk mund të preket në Tiranë në emrin e tim biri. Ne duam drejtësi, jo zhurmë politike, më tha ai. E kam të qartë se fjalët në këtë rast janë krejt të pafuqishme përballë dhimbjes e boshllëkut që përjetojnë baba, nëna, motra, vëllezërit e Klodianit, xhaxhallarët, dajat, djemtë e vajzat e tyre”, tha Rama.