Kryesore “Qëndrimi jonë nuk u prit mirë nga Brukseli”, Rama: Çfarë hetimi pret...

“Qëndrimi jonë nuk u prit mirë nga Brukseli”, Rama: Çfarë hetimi pret BE? Të dënojë vrasjen e policit të Kosovës

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp ku foli për qëndrimin e Shqipërisë kundër deklaratës së BE-së për Kosovës. Rama sqaroi se Shqipëria nuk ka asnjë rezervë për deklaratën në vetvete, por duhen pasqyruar edhe “zhvillimet e patolerueshme” në veri të Kosovës ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku, ndërsa Serbia mbajti zi kombëtare për anëtarët e vrarë të grupit kriminal.

Sipas Ramës, përgjigja e Shqipërisë nuk është pritur mirë nga Brukseli, por theksoi se Shqipëria nuk ndryshon mendim.

“Miqtë në Bruksel na kanë shpjeguar se nuk ishte e mundur diçka e tillë pasi deklarata ishte në fakt konfirmimi nga blloku i vendeve anëtare të BE-së i qëndrimit publik të datës 20 Shtator nga shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell, pas takimit të dështuar të Kosovës e të Serbisë në Bruksel. Ne jemi përgjigjur që nuk kemi asnjë rezervë për deklaratën në vetvete lidhur me kritikat ndaj Kosovës të cilat sipas nesh qëndrojnë plotësisht dhe Kosova duhet t’i reflektojë në pozicionin e saj në dialogun e normalizimit, por kemi theksuar domosdoshmërinë që publikimi i kësaj deklarate duhej të bëhej njëkohësisht apo të paktën të pasohej pa humbur kohë nga një deklaratë e dytë mbi zhvillimet e patolerueshme që sapo përmenda. Na u tha se kjo nuk është e mundur momentalisht dhe se deklarata kritike ndaj Kosovës e kishte marrë tanimë mbështetjen e vendeve anëtare sipas procedurës së tyre dhe Shqipërisë i kërkohej linjëzimi me të si gjithmonë. Përgjigja jonë ishte negative dhe ky qëndrim nuk është pritur mirë nga Brukseli. Ne jemi të keqardhur për këtë, por ndryshimi ynë nuk ndryshon. Kjo nuk ka të bëjë aspak me përmbajtjen e deklaratës  së publikuar dje të cilën e përsëris jemi gati të linjëzohemi sapo të dalë deklarata që ne presim dhe besoj jo vetëm ne për veprimet dhe mosveprimet e Serbisë. Por ky qëndrim ka të bëjë me zhbalancimit total që deklarata e djeshme krijon në këto momente kaq dramatike kur situata mund të përkeqësohet nga ora orë, nga dita në ditë apo nga java në javë”, u shpreh Rama.

Sipas kreut të qeverisë rrezikshmëria në veriun e Kosovës është shumë e lartë. Po ashtu ai komentoi edhe deklaratën e zëdhënësit të BE-së për pritje të hetimeve për këtë ngjarje. Rama tha se mirëpret çdo hetim, por Shqipëria kërkon dënimin e vrasjes së efektivit dhe faktin që Serbia mbajti një ditë zi për anëtarët e grupit kriminal.

“Dola të shpreh shqetësimin tejet serioz si asnjëherë më parë në këto 10 vjet për rrezikshmërinë e lartë të situatës në veriun e Kosovës. E dëgjuam me shumë vëmendjen edhe prononcimin e djeshëm të zëdhënësit të Brukselit që tha se nuk mund të ketë deklaratë tjetër pa pritur rezultatet e një hetimi si ka rrjedhur ngjarja e Banjskës. Edhe mund të ishim dakord me këtë nëse minimalisht Serbia do të ishte distancuar nga grupi  kriminal që i mori jetë efektivit dhe do të kishte deklaruar menjëherë hapjen e një hetimi serioz dhe të pavarur. Në vend të hetimit të ngjarjes së provokuar nga kriminal serb dhe jo republika e Kosovës, Serbia zgjodhi nderimin për të vrarët nga forcat speciale të Kosovës duke shpallur një ditë zie kombëtare. Çfarë hetimi pret BE? Nga kush? Nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë? Edhe me këtë do ishim dakord por nuk e dëgjova zëdhënësin e BE-së ta thotë diçka të tillë.

A mos po heton vetë BE-ja në mënyrë të paanshme dhe të pavarur? Shumë mirë do ishte dhe kjo, por as këtë nuk e dëgjova nga zëdhënësi i BE-së dhe nuk e dimë nëse BE ka angazhuar ndonjë mekanizëm në këtë drejtim. Sikur ta dëgjonim këtë do lehtësohemim disi, por vetëm në këtë drejtim. Çka ne kërkuam me komunikimin me miqtë në Bruksel nuk është rezultati i një hetimi që është i mirëseardhur, por është dënimi paekuivok i vrasjes së një efektivi të policisë në veriun e Kosovës nga një grup kriminal dhe gjithashtu dënimi i faktit absurd të nderimit kombëtar në Serbi të disa kriminelëve të veshur me uniforma ushtarake, jo shtetërore, dhe të armatosur deri në dhëmbë që u shfaqën në Banjskë për një demonstrim force të paligjshme me gjuhën e armëve të rëndë dhe u asgjësuan nga mbrojtësit e rendit kushtetues në Kosovë. Çdo hetim nuk i ndryshon dot këto fakte sa të thjeshta aq dhe të mjaftueshme për t’u klasifikuar në fakte në kundërshtim ekstrem ndaj çdo vlere, çdo partim demokratik të Europës ku jetojmë dhe për tu dënuar me plotë gojën si të tilla nga BE ku ne jemi shpirtërisht pjesë dhe duam të bëhemi zyrtarisht pjesë”, u shpreh Rama.

Rama shtoi më tej se, “këtu jemi përpara derdhjes së gjakut të pafajshëm dhe nuk është gjaku i një kalimtari që u vra në rrugë nga një makinë me targa serbe, por është gjaku i një efektivi të policisë së shtetit të Kosovës, i cili nuk vrau veten se pa disa civilë serbë të armatosur me çifte, por u vra nga njerëz të veshur ushtarakisht dhe të armatosur rëndë që për Beogradin zyrtar janë të denjë për ta ulur në gjysmë shtize flamurin e Serbisë. Ky është një karshillëk sa ilegal nga ana e grupit kriminal aq edhe institucional nga ana e shtetit serb ndaj vlerave dhe parimeve të BE-së që nuk ka nevojë për hetim, por kërkon dënim me zë të lartë dhe gjuhë të qartë. Jo vetëm sepse familjarët e policit të vrarë, populli i Kosovës e meritojnë ta dëgjojnë autoritetin e lartë moral të Be-së jo për të 7 apo 40 e vdekjes së shërbëtorit të pafajshëm të Kosovës, por sepse këtë pret ta dëgjojë i gjithë ky rajon që boll ka vuajtur në historinë e vet nga degradimet e hajvanllëkut politik në konflikte vrastare etnike të cilat kjo histori na ka mësuar që mund të përshkallëzohen sa hap e mbyll sytë në përplasje të armatosura etnike”.