Një rrjet kriminal, i përbërë nga shqiptarë, që merrej me trafikun e drogës, u shkatërrua në Lamia të Greqisë, ku u arrestuan 7 anëtarët e saj, ndërsa 4 të tjerë janë në kërkim, gjithashtu u sekuestrua një sasi e konsiderueshme droge.
Siç njoftojnë mediat lokale, në pranga ra një 43-vjeçar nga Shqipëria, i cili ishte edhe shefi i këtij grupi, ndërsa janë zbuluar edhe kodet, me të cilat komunikonin anëtarët e rrjetit.
Kështu, nëse në bisedat e tyre telefonike përmendej ndonjë vizitë për kafe, ajo ishte një marrëveshje droge, ndërsa “zezakët” ose “miqtë” ishin policët.
Kur policia iu shkatërronte plantacionet e kanabisit, ata e cilësonin si një “aksident”, ose “kurë”. Ata e kodonin kokainën me fjalët “pllaka të bardha”, ose “qengjat” dhe e shisnin me 85 euro gramin, ndërsa “Albani” ishte kanabisi me origjinë shqiptare, që kushtonte 2 euro për gramë, pasi ata operonin edhe me kanabisin e mbjellë në Greqi, që e quanin “kuajt e ngadaltë” dhe e shisnin me 2.5 euro gramin.
Kur dikush blinte një gramë hashash, kërkonte një “birrë të madhe” dhe kur dëshironte gjysmë, porosite një “birrë të vogël”.