Emri i tij i koduar është K-9. Bëhet fjale për një qen të ushtrisë amerikane që ndoqi deri në vdekje në Siri liderin e IS Abu Bakr al-Bagdadi. Tani kafsha ka të gjitha mundësitë të bëhet hero në SHBA, në luftën kundër terrorizmit islamik.
Qeni i plagosur në operacionin ushtarak amerikan kundër kreut të IS, Abu Bakr al-Bagdadi, është mbuluar me lëvdata nga Presidenti Donald Trump dhe krerët e ushtrisë amerikane. Qeni “i mrekullueshëm” ka bërë në Siri një “punë të shkëlqyer, në ndalimin dhe në vrasjen” e terroristit në Siri, shkroi Trump në Twitter dhe publikoi një foto të kafshës.
We have declassified a picture of the wonderful dog (name not declassified) that did such a GREAT JOB in capturing and killing the Leader of ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi! pic.twitter.com/PDMx9nZWvw
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) October 28, 2019
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Mark Milley gjithashtu theksoi se qeni kishte bërë një “shërbim të jashtëzakonshëm”.
Ai tha se qeni “u plagos lehtë dhe do të shërohet plotësisht”
Kafsha është në rrugën e shërimit të plotë dhe ndodhet tashmë pranë ushtarakut përgjegjës për të në shërbim, tha gjenerali i lartë amerikan në një konferencë shtypi në Pentagon.
Emrin e kafshës dhe racën e tij ai nuk e tregoi: “Ne e mbrojmë identitetin e qenit“, tha Milley. Ai e justifikoi këtë me rrethanën se qeni ndodhet akoma në zonën e operacionit. Me sa duket bëhet fjalë për një qen stani belg. Kjo racë përdoret shpesh nga forcat speciale të ushtrisë amerikane.
Qeni e ndoqi pas në një tunel kreun e milicisë xhihadiste “Shteti Islamik”, ku al-Bagdadi më pas vrau veten duke ndezur një jelek me lëndë shpërthyese. Edhe tre nga fëmijët e tij vdiqën, u tha. Qeni u nxor nga ushtarët amerikanë.
“Eleminimi i duhur”
Eshtrat e shefit të IS u varrosën në det të hapur, deklaroi Ministria e Mbrojtjes e SHBA. Të dhëna më të hollësishme për vendndodhjen dhe rrjedhën e funeralit nuk u njoftuan. Milley bëri të ditur vetëm se “eleminimi” i kufomës së al-Bagdadit ishte bërë “në mënyrë të përshtatshme” dhe kishte përfunduar. Edhe kufoma e liderit të Al-Kaida-s, Osama bin Laden, i cili u vra në një operacion ushtarak amerikan në Pakistan në vitin 2011, gjithashtu u varros në det.