Njësitë K-9, janë të zakonshme në departamentet policore. Qentë specialë të policisë zakonisht ndihmojnë në zbardhjen e krimeve ose në gjetje të drogës. Por në Departamentin e Policisë në Fairfax pranë Uashingtonit qentë kanë një mision tjetër. Kafsha që njihet si miku më i mirë i njeriut ndihmon shpirtërisht ata që luftojnë krimin për t’u çliruar nga streset.
Ky qen me emrin Jack, është i punësuari më i ri në Departamentin e Policisë në qarkun Fairfax, por që tashmë ka fituar shumë zemra.
Jack-un e presin edhe disa trajnime, përpara se të fillojë punën. As ky e as kolegët e tij, nuk do të ndjekin gjurmë droge, eksplozivi apo të njerëzve të zhdukur.
Ai do të ndihmojë policët që kanë probleme me stresin. Një organizatë speciale e quajtur “Reaguesit e Parë K9” bën trajnimin e këtyre qenve.
“Njësia ‘Reaguesit e Parë K9’ ushtron qentë për ata që ishin reagues të parë dhe që janë plagosur në detyrë, që kanë probleme fizike, stres post-traumatik, lëndime traumatike në tru e të tjera…”, thotë Matt Giese nga njësia “Reaguesit e Parë K9”.
Idea që përmes qenve të tejkalohet stresi ekstrem nuk është diçka e re, por “Reaguesit e Parë K9” është organizata e vetme e këtij lloji në ShBA.
Në mesin e atyre që ndihmojnë trajnimin e qenve janë policë, zjarrfikës dhe specialistë emergjence.
“Në fokus të trajnimit janë aftësitë e kufizuara. Qentë janë për shembull në gjendje të hapin dyer duke shtypur butonin për njerëzit me aftësi të kufizuara”, thotë Chris Sharp nga Departamenti i Policisë në qarkun Fairfax.
Aktualisht po trajnohen pesë qenë. Ata mbajnë emrat e policëve të rënë në detyrë.
Pasi të përfundojnë trajnimin, Jack dhe Holmes do të ndihmojnë të zbutin stresin post-traumatik tek pjesëtarët e policisë.
Ndërsa Indy, Sally dhe Lennyu do të ndihmojnë ata që kanë përjetuar trauma fizike dhe psikologjike.
Në mesin e tyre është kreu i Departamentit të Policisë në qarkun Fairfax, Edwin Roessler.
“Ndihem i bekuar sepse jo vetëm nga trajnerja Kaitlin dhe qeni im Indy, por përmes të gjithëve, mësova se duhet të jem njeri më i durueshëm. Fillova ta merrja Indy-n me vete në zyrë, dhe të tjerët vepruan si unë. Është shndërruar në një oaz lumturie!”, thotë Drejtori i Departamentit të Policisë në qarkun Fairfax, Edwin Roessler.
Sipas organizatës “Blue H.E.L.P.” në vitin 2018 numri i policëve që kryen vetëvrasje është më i madh sesa numri i atyre që vdiqën në detyrë.
“Ajo që shumë nuk e kuptojnë është fakti që njerëzit thërrasin policinë në momente të vështira, zakonisht kur kanë ditën më të keqe të jetës ose thjeshtë një ditë të keqe. Prandaj filluam programin. Gjatë një ndërrimi 12 ose 10 orësh, ne shohim anën më të keqe të njerëzve. Përjetojmë atë moment, por pastaj përgjigjemi në thirrjen tjetër sikur nuk ka ndodhur asgjë…”, thotë Chris Sharp, nga Departamenti i Policisë në qarkun Fairfax.
Trajnimi i qenve kërkon punë dhe mund të zgjasë deri në dy vite. Racat “Labrador dhe Golden Retriever” janë përzgjedhur sepse janë të qetë dhe të mençur.
“Ajo po punon shumë në sjelljen e saj, si të përshëndes njerëzit, si të sillet në publik ku ka shumë njerëz, si të shoqërohet me njerëzit dhe kafshët e tjera…”, thotë Dustin nga Departamenti i Policisë në Fairfax.
Njësiti “Reaguesit e Parë K9” planifikon të fillojë punë edhe në departamente tjera të policisë në vend./VOA