Mbajtja e maskave mbrojtëse në dyqane nuk do të jetë e detyrueshme në Angli. Kështu pohon ministri për kabinetin qeveritar, Michael Gove, i cili tha se i beson ndërgjegjësimit të qytetarëve. Duke folur për BBC, ai theksoi se mbajtja e maskës në ambiente publike është një sjellje e mirë që hyn në praktikat bazike.
“Qeveria në kohë të ndryshme shikon për prova lidhur me mënyrën më të mirë për të kontrolluar sëmundjen. Nëse është e nevojshme për masa të ashpra si në Leister, natyrisht një situatë komplet tjetër, atëherë masa të ashpra do të vendosen”, u shpreh Michael Gove, ministër për Kabinetin në Britani.
Më herët, kryeministri Boris Johnson u shpreh se një qasje më strikte duhej në mënyrë që britanikët të mbanin maska në hapësira të përbashkëta. Burime brenda qeverisë thanë për BBC se çështja është në rishikim e sipër, ndërsa laburistët kërkojnë qartësi. Aktualisht, mbulimi i fytyrës është i detyrueshëm në transportin publik të Anglisë, Skocisë dhe Irlandës së Veriut, një masë kjo e vendosur për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar është e treta në botë sa i përket bilancit të viktimave shkaktuar nga pandemia dhe numëron rreth 45 mijë jetë të humbura. Të prekurit janë më tepër se 290 mijë.