Qeveria e Kosovës ka akorduar një shumë prej 50 mijë eurosh për të mbështetur familjen e policit Afrim Bunjakut të rënë në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Kurti u shpreh se ai ra në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri.
“Mbështetje të rreshterit të rënë në detyrë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri, aty kishim Afrimin, ndërsa për familjen e tij, sot e gjithnjë është e gjithë Kosova. Është detyrimi ynë përballë vetëmohimit të Afrimit, sado pak ta përmbushim për atë që ai la mbrapa, më të dashurit e tij, bashkëshorten, vajzën dhe djemtë e tij. Aprovojmë vendimin për të ndarë 50 mijë euro për familjen e tij. Para veprës së tij do të përkulemi me nder dhe atë do ta kemi gjithmonë në mendjet, zemrat dhe shpirtrat tanë”, tha kryeministri Kurti.
Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës të dielën e 24 shtatorit gjatë një sulmi terrorist serb në Banjskë të Zveçanit në Kosovë.
Kurti tha se sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit ka ekspozuar vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve me Serbinë.
Sipas kryeministrit Kurti, më 24 shtator është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës dhe është shpërfaqur gatishmëria “e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë”.
“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak, dhe sasi të mjaftueshme, për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë”.
“Kufirin me Serbinë, më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, sidomos në pjesën veriore, veçanërisht të rrezikshme dhe të vështire e bëjnë sjellja dhe apetiti i Beogradit zyrtar”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Ai ka thënë se pjesëmarrja e nënkryetarit të Listës Serbe në këtë sulm, që Kurti e ka quajtur terrorist, është vërtetuar “rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”.
“Nuk ka demokraci e liri, pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë”.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Radoiçiçin se e ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.
Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm.