Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për dhënien 100 eurove shtesë për pensionistët. Gjatë prezantimit të vendimit, zëvendëskryeministri Besnik Bisilimi tha se kjo shumë është e njëhershme, e cila ka kosto mbi 28 milionë euro.
“Në kuadër të pakos për t’u përballë me inflacionin që kemi dizajnuar muajin e kaluar, kemi paraparë edhe mbështetjen për pensionistët. Për pensionistët ka marrë formën e një shumë të njëhershme prej 100 eurove, e cila do të transferohet në llogari të tyre gjatë këtij muaji. Për këtë qëllim duhet të ndahet mjete buxhetore në vlerën 28 milionë e 208 mijë euro”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për kodin penal, ku parashihet ashpërsimi i sanksioneve ndaj kryerësve të veprave, dhunim, ngacmim seksual dhe dhunës në familje. Krahas kësaj, kabineti qeveritar ndau edhe 35 mijë euro për Luginën e Preshevës.