Kryetari PD, Lulzim Basha, publikoi në Opinion dy lista që sipas tij janë dëshmi e një skandali, atë të fshehjes së të vdekurve nga Covid-19 në vendin tonë dhe raportimin e një shifre gati të përgjysmuar të numrit real.
Denoncimin, Basha tha se e kishte të vërtetuar përmes të dhënave që i kishin denoncuar njerëz të përgjegjshëm nga morgu i Tiranës.
Kreu i PD-së tha se kishte me vete dy lista me emra të vdekurish, që duhet të merreshin nga prokuroria menjëherë për të nisur hetimet. ”I bëj thirrje menjëherë prokurorisë të shkojë tani në morgun e Tiranës. Unë dua të mos të kem të drejtë, por po na ndodh e kundërta. Vetëm pardje ke pasur 13 ambulanca që prisnin aty. Gazetarët e linjës atje me të cilët unë kam pasur takime, gazetarët thonin që ambulancat i mbanin aty për të vendosur kë do mbanin për të shëruar dhe kush do vdiste. Nëse ka një të vërtetë dhe sistemi është drejt kolapsit, të bëjmë presion maksimal”, tha Basha.
“I kërkoj prokurorisë të shkojë menjëherë, të sekuestrojë dokumentat, se i shkatërrojnë dokumentat atje”, u shpreh Basha, i cili tha se njerëz të përgjegjshëm kanë dorëzuar të dhënat pranë Partisë Demokratike.
Akuzave të Bashës iu përgjigj kryeministri Edi Rama i përgjigjet nga emisionin “Real Story” në News 24. Sipas Ramës, ato çfarë Basha thotë janë shenja të panikut e konfuzionit që e ka kapur.
“Çfarë mund t’i përgjigjesh tani?! D.m.th është pjesë e asaj që thashë, panik, konfuzion, shqetësim, katastrofë. Qeveria nuk deklaron asgjë. Numri i fataliteteve është një numër që pasqyrohet çdo ditë në bazë të kritereve që janë të lidhura me një element të thjeshtë: Të sëmurët nga Covid. Të tjerat janë spekulime, s’kanë asnjë bazë dhe hyn në atë të përditshmen: Shpif, shpif se diçka do mbetet, kall dëshpërim tek njerëzit se diçka do ndezë, ajo që përpiqen këta të ndezë, është se duhet të kuptojnë që pse kanë humbur që nga dita e parë”, tha Rama.