Bota Qeveria gjermane reagon pasi Elon Musk shprehu përkrahjen për AfD-në: Po përpiqet...

Qeveria gjermane reagon pasi Elon Musk shprehu përkrahjen për AfD-në: Po përpiqet të ndikojë në zgjedhje

Qeveria gjermane u përpoq të mos u japë shumë peshë qëndrimeve të shprehura nga miliarderi Elon Musk për zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, pasi ai shprehu sërish partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Zoti Musk shkaktoi debate gjatë fundjavës pasi mbështeti partinë AfD në një opinion të botuar në një gazetë të madhe gjermane, që nxiti dorëheqjen në shenjë proteste të redaktores përgjegjëse për rubrikën e opinioneve.

“Liria e shprehjes gjithashtu përfshin edhe qëndrimet më pakuptim”, deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann, duke shtuar se nuk do të komentonte më shumë deklaratat e zotit Musk.

Ajo megjithatë tha se “në fakt Elon Musk po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet federale përmes deklaratave të tij”.

Në këtë kontekst, zëdhënësja Hoffmann po ashtu theksoi se partia AfD po vëzhgohet nga shërbimi i brendshëm gjerman i zbulimit nën dyshimet se është parti ekstremiste e krahut të djathtë dhe se tashmë ka një status të tillë në disa pjesë të Gjermanisë.

Gjermania do t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme më 23 shkurt, pasi koalicioni qeverisës i Kancelarit Olaf Scholz, që përbëhej nga tre parti, u rrëzua muajin e kaluar pas mosmarrëveshjeve se si të rimëkëmbet ekonomia e ngadalësuar e vendit.

Opinioni i zotit Musk në gazetën ‘Welt am Sonntag’ që botohet në gjuhën gjermane gjatë fundjavës, është shembulli i dytë brenda muajit i përkrahjes që ai i jep partisë AfD.

“Partia ‘Alternativa për Gjermaninë’ (AfD) është shkëndija e fundit e shpresës për këtë vend”, shprehet zoti Musk në shkrimin e tij të përkthyer në gjuhën gjermane.

Ai tha gjithashtu se partia e djathtë e skajshme “mund ta çojë vendin drejt së ardhmes ku përparimi ekonomik, integriteti kulturor dhe inovacioni teknologjik nuk janë vetëm dëshira, por realitet”.

Drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Tesla Motors po ashtu shkroi se investimet e tij në Gjermani i japin atij të drejtën të komentojë mbi gjendjen e vendit.

Sipas anketave, partia AfD ka mbështetje të fortë, por kandidatja e saj, Alice Weidel nuk ka gjasa të bëhet kancelare ngaqë partitë e tjera refuzojnë të bashkëpunojnë me partinë e krahut të djathtë.

Aleati i Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, miliarderi Musk, në shkrimin e tij, sfidoi qëndrimet ndaj partisë.

“Portretizimi i AfD-së si parti ekstremiste e krahut të djathtë është qartazi i rremë, duke patur parasysh që drejtuesja e partisë, Alice Weidel, ka një partnere të të njëjtës gjinisë nga Shri Lanka! A ju tingëllon si Hitleri? Ju lutem!”

Shkrimi i zotit Musk shkaktoi debat në mediat gjermane mbi kufijtë e fjalës së lirë, ndërkohë që redaktorja përgjegjëse e rubrikës së kësaj gazete në platformën X, pronë e zotit Musk, lajmëroi se kishte dhënë dorëheqjen.

“Gjithmonë më ka pëlqyer të lexoj opinionet e ndryshme në Welt. Sot një shkrim i Elon Muskut doli në edicionin e fundjavës së kësaj gazete. Dorëzova dorëheqjen time dje, pasi ky shkrim u nis për botim”, shkroi Eva Marie Kogel.

Gazeta u sulmua nga politikanët dhe mediat e tjera për shkak se i ofroi platformë zotit Musk, një i huaj.

Shkrimi i zotit Musk në Welt am Sonntag u përcoll me një shënim kritik nga kryeredaktori i ri i Welt, Jan Philipp Burgard, i cili shprehet se megjithëse disa nga mendimet e zotit Musk për problemet e Gjermanisë mund të jenë të sakta, “qasja e tij se vetëm AfD mund ta shpëtojë Gjermaninë, është tragjikisht e gabuar”./ VOA