Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj deklaroi sot se qeveria ka kaluar fondin limit prej 8.7 miliardë lekësh që do të japë mundësinë që të nisë rindërtimi i 3400 shtëpive të para të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Ahmetaj bëri të ditur se shifrat do t’i kalojnë Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë së Tiranës.
“Jemi gati të nisim në terren nga puna për rindërtimin e 3400 shtëpive të para individuale, të cilat do të financohen nga fondi i rindërtimit. Sot qeveria ka kaluar vendimin për miratimin e fondit limit prej 8.7 miliardë lekësh, ose rreth 73 milionë euro, që do t’i kalojnë njësive zbatuese Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë së Tiranës. Efekti financiar përballohet nga fondi për rindërtimin i miratuar nga buxheti 2020 dhe do të shpjegohet si më poshtë:
Do të ketë një fond për banesat private individuale. Janë rreth 2500 shtëpi banesa individuale që do të ndërtohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, të tipologjisë 1+1, 1+2 dhe 1+3. Për Bashkinë e Tiranës fondi është në masën 2.2 miliardë lekë dhe i alokohet në të njëjtën formë teknike financiare si tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, tha Ahmetaj.
Ministri Ahmetaj tha se nga java e ardhshme shpallet gara ndërkombëtare për rindërtimin e banesave dhe u bëri thirrje të gjithë të interesuarve që të marrin pjesë. Madje ai tha se do të ketë publikime në Financial Times për kompani që duan të marrin pjesë në programin e rindërtimit.
Ahmetaj shtoi se vazhdon vlerësimi i thelluar i ndërtesave. “Instituti i Ndërtimit e përfundon procesin më 30 Mars, tek Bashkia e Tiranës me 23 Prill. Pastaj do të ketë prokurim të dytë për pjesët e mbetura”, tha Ahmetaj i cili shtoi se programi i rindërtimit ka hyrë në një fazë të re.