Shoqëritë e linjave të transportit urban do të kompensohen për naftën me 100 lekë për litër, në mënyrë që të mos rritet çmimi i biletës për qytetarët.
Ky kompensim do të zgjasë për tre muaj.
“Çmimi i naftës ka një rritje të ndjeshme. Ashtu siç ne po e menaxhojmë edhe nëpërmjet Bordit të Transparencës, qeveria ka vendosur që pjesë të paketës së rezistencës të bëjë edhe kompensimin me 100 Lekë/litër për çdo subjekt i cili ofron transport urban ndërqytetas, kështu që përmes këtij projekt akti ne i kemi dhënë rrugë hapjes së mënyrës së kalkulimit që do të bëhet nga të gjitha njësitë të cilat janë të përfshira në këtë proces për të nisur menjëherë kompensimin për 3 muaj të transportit urban, i cili parashikon pra harxhimet në naftë që janë shpenzuar gjatë muajit Mars, do shpenzohen gjatë muajit Prill dhe atij Maj.
Nuk duhet harruar se 98% e transportit në Republikën e Shqipërisë kryhet përmes rrugëve. Qeveria shqiptare përmes kësaj pakete po mundohet që të ruajë çmimin e biletës, pra ne nuk do t’i lejojmë të gjithë subjektet që të kenë ndryshim në çmimin e biletës apo rritje të saj duke qenë se ata do të kompensohen me 100 Lekë/litër të naftës”, deklaroi sot Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas mbledhjes së qeverisë.
Një tjetër vendim i qeverisë në lidhje me transportin është kalimi i biletave në format elektronik, nga aty ku ishin në format të shtypur.
Biletat tashmë do të priten online, përmes sistemit të fiskalizuar, bëri me dije Balluku.
“Hiqen biletat në format të parashtypur, prerja e biletave, online, përmes sistemit të fiskalizuar. Prerja e biletave bëhet nga agjencitë në autobusë. Platforma elektronike garanton secilin të plotë. Biletat në format elektronik do të gjenerohen nga platforma elektronike”, u shpreh Balluku.