Miratimi i ligjit të ri të pronave dhe kalimi i ngërçit që erdhi pas rrëzimit të pjesshëm nga Kushtetuesja, duket se i ka dhënë nxitje të madhe kompensimit të ish-pronarëve, nga ana e qeverisë. Në vetëm 7 muaj, rezulton që të jenë shpërndarë 98% e parave të parashikuara në buxhet.
Në këtë zë, qeveria kishte llogaritur shpërndarjen e 3.8 miliardë lekëve dhe sipas treguesve fiskalë rezulton që deri në korrik të jenë shpërndarë 3.71 miliardë lekë. Deri në fund të vitit, mbeten edhe 90 milionë lekë për dosjet e radhës.
Agjencia e Trajtimit të Pronës, që është edhe institucioni përgjegjës për kompensimin e kësaj kategorie, ka qenë aktive duke miratuar dosjet rast pas rasti. Vetëm në korrik dhe gusht janë kaluar një seri dosjesh që varionin nga kësti i parë deri tek i pesti.
Kompensimi i ish-pronarëve u konsiderua një prioritet nga qeveria, si një kërkesë e institucioneve ndërkombëtarë për t’i dhënë fund zvarritjes. Kjo synonte të ndalonte edhe rritjen e numrit të çështjeve që përfundonin në Strasburg dhe ku trajtoheshin sipas një vendimi të unifikuar Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë, çka ngarkonte buxhetin me detyrime marramendëse.
Ligji i ri përfundoi në Kushtetuese, e cila e rrëzoi pjesërisht atë, por ndërkohë duket se procesi ka hyrë në shina.
Kompensimi i ish-pronarëve shihet si i lidhur me procesin e legalizimit pasi paratë që vijnë nga ky proces kalojnë te fondi i posaçëm ku përfshihen edhe fondet që vijnë nga privatizimet. Gjithsesi ky zë në buxhet rezulton me një realizim të dobët prej 40 për qind.
Sipas parashikimit fillestar qeveria priste që të arkëtonte deri në fund të vitit 2017, 2 miliardë lekë nga ky zë, por në fakt, deri në korrik janë realizuar vetëm 809 milionë lekë.