Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, bëri të ditur pas mbledhjes së qeverisë se është marrë vendimi që më 25 maj të jetë pushim për të gjitha institucionet publike në Tiranë.
Ky vendim ka ardhur si pasojë e zhvillimit të finales së Conference League në Air Albania. Po ashtu, në këtë ditë nuk do të lejohet edhe qarkullimi i automjeteve në kryeqytet.
Bledi Çuçi: Sot qeveria mori vendimin që datën 25 (Maj) ta shpallë si ditë pushimi për të gjithë institucionet publike që janë pjesë e Qarkut të Tiranës. Pra do të jetë ditë pushimi për të gjithë zyrtarët publikë të Qarkut të Tiranës. Kjo masë merret në vazhdimin e masave që po marrim për të organizuar në mënyrë sa më shembullore një nga eventet më të mëdha që i ka ndodhur Shqipërisë siç është finalja e Conference League, ku ne presim që të ketë një fluks njerëzish që do të vijnë jo vetëm nga Italia dhe Holanda për të ndjekur këtë finale. Deri më tani kemi një pritshmëri dhe interes nga gati 5-6 herë më shumë njerëz për bileta seç ka kapacitet stadiumi “Air Albania”. Kështu që ne po marrim masa që ajo ditë të jetë një ditë feste për të gjithë, jo vetëm për sportdashësit italianë dhe holandezë. Masa të tjera që janë po aq të rëndësishme dhe që duhet të komunikohen me publikun janë për atë që lidhet me kufizimin e qarkullimit në Tiranë. E para atë ditë, data 25 do të jetë një ditë pa makina.
Nuk do të ketë në të gjithë Tiranën qarkullim të makinave, kuptohet përveç urgjencave dhe nevojave të të gjitha organeve që do të merren me mbarëvajtjen e eventit. Ajo që është e rëndësishme është që të gjithë akset hyrëse në Tiranë do të bllokohen në datën 25 deri në orën 18:00. Kushdo që do t’i bashkohet festës së finales së madhe në Tiranë në datën 25 që nuk është nga Tirana mund të vijë në Tiranë pas orës 18:00. Kështu do të garantojmë që i gjithë fluksi që besoj i paparë ndonjëherë në Tiranë për një kohë kaq të shkurtër të menaxhohet në mënyrë më shembullore për ta kthyer këtë event në një festë të madhe jo vetëm të sportdashësve italianë dhe holandezë, por të gjithë Shqipërisë.