Ekonomi Qeveria miraton bonusin e pranverës për pensionistët, shpërndarja nis në shkurt

Qeveria miraton bonusin e pranverës për pensionistët, shpërndarja nis në shkurt

Bonusi i pranverës për pensionistët është miratuar nga qeveria dhe do të shpërndahet nisur nga muaji shkurt.

Të moshuarit që marrin pension deri në 20 mijë lekë, do të marrin 10 mijë lekë shtesë në pranverë. Kush merr më shumë se 20 mijë lekë pension, do të përfitojë edhe 5 mijë lekë të tjera si bonus.

Qeveria ka ndryshuar për të tretën herë buxhetin e këtij viti duke shpërndarë 6.3 miliardë mbështetje për të moshuarit.

Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja, ka bërë me dije se në mbledhjen e qeverisë është miratuar bonusi i pranverës për pensionistët si dhe projektligji “Paketa e Maleve”.

“Miratuam sot bonusin e pranverës. Bonusi i ri do të shpërndahet në këtë masë, pra 10 mijë lekë për pensionistët me pension bazë më pak se 20 mijë lekë në muaj, bonusin prej 5 mijë lekësh e përfitojnë ata me pension pleqërie më të lartë.

Rikonfirmimin i angazhimit që hapësirat e krijuara nga rritja ekonomike të konkludojë në përfitime për qytetarët.

Miratuam sot edhe projektligjin “Paketa e maleve” që është një nismë për ekonominë e maleve, projektligj i cili nxit dhe sjell një qasje alternative për të ofruar lehtësi dhe ndihmuar që ekonomia malore e cila në vitet e fundit ka ngelur pas asaj të zonave urbane dhe bregdetare, ta nxisim e shohim me përparësi”, tha ai.