Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Financave, Petrit Malaj ka njoftuar ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2024.
Malaj bëri me dije se Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimet në buxhet, duke i hapur rrugën rishpërndarjes së 27 miliardë lekëve.
Rialokimet përfshijnë disa ministri, ku për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural do të shkojnë 500 milionë lekë, për Shëndetësinë 250 milionë lekë dhe për Arsimin dhe Sportet 300 milionë lekë, shumë kjo që besohet se do të përdoret për shpërblimin e sportistëve.
Pjesën e “luanit” do ta marrë Ministria e Brendshme me 1.3 miliardë lekë, por edhe Ujësjellës-Kanalizimet me 2 miliardë lekë.
“Kemi rishikuar buxhetin e vitit 2024, duke rritur të ardhurat për këtë vit në vlerën 267 miliardë lekë. Këto shtesa janë menduar të shpërndahen në sektorët që kanë ndikim të lartë në jetën sociale dhe ato që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik. Më konkretisht, kemi rritur financimet shtesë për Ministrinë e Bujqësisë me 500 milionë lekë për skemën e granteve të fermerëve. Kemi rritur 200 milionë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe për Ministrinë e Brendshme me 1.3 miliardë lekë për kompensimin ushqimor të policëve, krahas orëve shtesë të punës. Për Ministrinë e Arsimit 300 milionë lekë për shpërblimin e sportistëve që kanë arritur rezultate të mira. Kemi rritur financimet dhe për Ujësjellës Kanalizimet me 2 miliardë lekë”, tha Malaj.
Kjo është hera e dytë për këtë vit që ndërhyhet me Akt Normativ nga qeveria në buxhet, kur mbeten edhe 4 muaj nga përfundimi i 2024.
Ndryshimet në buxhet ishin paralajmëruar për t’u bërë që në muajin qershor.