Qeveria miratoi ditën e sotme projektligjin për kanabisin mjekësor. Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
“Qeveria sot ka miratuar projektligjin për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, u shpreh ajo.
Projektligji në fjalë është depozituar pas një pune nga ministria e Shëndetësisë, e Bujqësisë dhe ajo e Brendshme. Manastirliu sqaroi se aty përcaktohet kuadri rregullator për kultivimin, përpunimin dhe prodhimin e bimës së kanabisit vetëm për qëllime mjekësore dhe industriale.
“Përcakton të gjithë kuadrin rregullator të mënyrës si do të iniciohet procesi për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj vetëm për qëllime mjekësore dhe industriale”, theksoi ministrja.
Ministrja tha se qëllimi i projektligjit është “rregullimi dhe garantimi i procesit të kontrollit dhe mikqyrjes së kultivimit, përpunimit, prodhimit dhe eksportimit të bimës së kanabisit, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare për këto qëllime që janë të mirpërcaktuara me ligj”.
Ajo tha për hartimin e projektligjit janë kaluar disa faza konsultimi me ekspertë të huaj dhe vendas.