Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria shqiptare ka vendosur të ndihmojë financiarisht me 500 mijë lekë të reja familjen e 10-vjeçarit nga Lezha, i cili u përplas për vdekje pak ditë më parë në Bularat të Gjirokastrës.
“Sot vendosëm që si qeveri të asistojmë familjen e të miturit që humbi tragjikisht jetën pasi i preu rrugën autoambulancës në Kakavi, me një shumë prej 500.000 lekësh të reja, duke i rishprehur dhe njëherë familjes ngushëllimet tona më të ndjera. Engjëlli i vogël u dhëntë forcë”, shkruan Rama.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një moment kur prej ditësh janë nxitur radhë kilometrike në pikat kufitare me Greqinë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autoambulanca ishte pa të sëmurë brenda dhe po ecte me shpejtësi kur ka përplasur fëmijën për vdekje.
Policia e Shtetit në versionin e saj zyrtar tha se në autoambulancë ka qenë një shtetase e sëmurë. Sipas saj, shtetasja e sëmurë menjëherë pas aksidentit ku humbi jetë i mituri është transportuar në Spitalin e Gjirokastrës, ndërsa drejtuesi i atutoambulancës është shoqëruar në komisariat.
“Rreth orës 10:30, në aksin nacional Kakavije – Gjirokastër, në afërsi të kthesës së Bularatit, një autoambulancë me drejtues shtetasin A. G, që po transportonte një shtetase të sëmurë për në spitalin rajonal Gjirokastër, ka përplasur këmbësorin, shtetasin S. N., 10 vjeç, banues në Lezhë, i cili ka humbur jetën. Drejtuesi i ambulancës është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, ndërsa shtetasja e sëmurë është transportuar me makinë policie drejt spitalit rajonal Gjirokastër”, tha policia.