Kryesore Qeveria rrit rrogën e Presidentit, zbulohet paga mujore e kreut të shtetit

Qeveria rrit rrogën e Presidentit, zbulohet paga mujore e kreut të shtetit

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në një deklaratë për mediat së bashku me kryeministrin Rama tha se është miratuar ligji me anë të cilit do të bëhet rritja e pagave në bazë të hierarkisë.

Ajo tha gjithashtu se në ligjin e miratuar këtë të premte është miratuar edhe një rritje page për Presidentin e Republikës Bajram Begaj, rroga e të cilit ka shkuar 425.000 Lekë.

“Ne sot miratuam ligjin i cili reflekton hierarkinë e re të pagave për institucionet kushtetuese, institucionet e pavarura, ligji cili i hap rrugën Këshillit të Ministrave për ristrukturimin e formulës së pagave në vend. Ishte e nevojshme, kishte kohë që qeveria e mendonte ta bënte një ndërhyrje të tillë.

Duke vazhduar me gjithë logjikën e hierarkisë së pagës, kemi dashur të ketë stimul për t’u rritur në detyrë për shkak të pagës.

Kemi krijuar një sistem i cili jo vetëm na bën kompetetiv me tregun privat, dhe e kam fjalën këtu me ato sektorë që janë të ngjashëm me administratën publike, por edhe brendapërbrenda institucioneve shtetërore.

Elementët specifik të rritjes së pagave do të detajohen me vendime të Këshillit të Ministrave. Në ligjin që sapo miratuam ne kemi miratuar një rritje të qenësishme të pagës së Presidentit të Republikës, niveli i pagës së të cilit shkon 425 mijë lekë dhe po ashtu kemi parashikuar gjithë hierarkinë e gjithë institucioneve të pavarura”, tha ministrja Ibrahimaj.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e kësaj të premteje të këshillit të ministrave, paga e Begajt kërcen më 170 mijë lek më shumë në muaj.

Vendimi e çon rrogën e Presidentit në 425 mijë lekë, nga 255 mijë lek që ishte, ose një rritje me 60 për qind të rrogës.

Shifra e re e kërcen kreun e shtetit shqiptar në grupin e drejtuesve shtetërore më të paguar në rajon.

Qeveria ka premtuar gjithashtu rritje të qënësishme pagash në administratën shtetërore, me objektiv rritjen e nivelit të pagës mesatare në 900 euro brenda një viti.

Aktualisht, paga mesatare në Shqipëri është 560 euro.