Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, mbajti një konferencë për shtyp lidhur me zhvillimet e fundit. Ai saktësoi se qeveria e tij do të shkarkohet nga parlamenti i Podgoricës, ndërsa akuzoi partnerët e koalicionit për marrëveshje të fshehtë me partinë e presidentit, Milo Gjukanoviç.
Krivokapiç u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin në protesta. “Kam qenë i përkushtuar për një Mal të Zi të shëndetshëm dhe jetë dinjitoze të qytetarëve. Është spekuluar se do të jap dorëheqjen, disa më kanë bindur se kjo është mënyra më e mirë. Unë them se për mua nuk ka rëndësi nëse do të jem kryeministër sot apo dhe një ditë më shumë. Dua që qytetarët të shohin kush është kush në Mal të Zi. E di që të nesërmen do të pushoj së qeni kryeministër, sepse zoti Gjukanoviç u pajtua me atë pjesë të koalicionit të përbashkët që u shpreh me vullnetin e qytetarëve në 30 gusht 2020, dhe në atë mënyrë ai testament shkatërrohet absolutisht. Kanë rënë maskat, kush dëshiron ta shohë mundet, kush nuk dëshiron, nuk ka pse. Kam hyrë në politikë për shkak të miratimit të Ligjit për lirinë e besimit dhe me miratimin e tij e realizova qëllimin dhe ia plotësova amanetin njeriut të cilit i premtova se përveç ligjit do të rriten edhe pagat. Unë jam i pastër para popullit”, deklaroi kryeministri malazez.