Aktualitet Qeveria vendos, vitin e ardhshëm shkollor do të ketë tekst unik për...

Qeveria vendos, vitin e ardhshëm shkollor do të ketë tekst unik për abetaren

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, në dalje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ka zyrtarizuar një vendim të rëndësishëm për sa i përket shkollës fillore në vend, dhe veçanërisht tekstin kryesorë të vitit të parë, abetaren.

“Morëm një vendim të rëndësishëm, që ka të bëj me përjashtimin nga procedura e përzgjedhjes së mësuesve në bazë shkolle të tekstit të abetares. Ne normalisht kemi tekste alternative, dhe mësuesit e çdo lënde mblidhen së bashku dhe vendosin të zgjedhin një nga tre alternativat e paraqitura. Por sot kemi vendosur se do të përjashtohet teksti i abetares.

Kjo do të thotë, që të gjithë nxënësit e klasës së parë në Shqipëri do të kenë një tekst të unifikuar. Mësimi i gjuhës amtare është një nga objektivat tona më të rëndësishme, dhe abetarja është libri i parë me të cilin nxënësit përballen”.

Sipas Ministres Kushi, “teksti i unifikuar ndihmon për një metodologji të barabartë. Në muajt që do vijnë do të punojmë shumë në këtë projekt në mënyrë që të fillojë një konkurrim i barabartë dhe transparent në mënyrë që në vitin shkollor të ardhshëm të gjithë nxënësit të kenë një tekst të përbashkët”.