Një qiellgërvishtës në Londër do të jetë blloku më i shtrenjtë i zyrave në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u nxor në shitje për 1.8 miliardë paund, si një provë për të vërtetuar nëse puna në distancë, që u përhap shumë gjatë pandemisë së koronavirusit pritet të vazhdojë më tej apo jo.
Marrëveshja për ndërtesën 37-katëshe 100 Bishopsgate në zemër të qendrës financiare, në të cilën ndodhen gjithashtu edhe firma ligjore Freshfields, Banka Royal e Kanadasë dhe Banka e investimeve Jefferies, pritet të kapërcejë vlerën prej 1.3 miliardë paund të paguara në 2017 për ndërtesën aty afër, Walkie Talkie, pavarësisht eksodit me të cilin kjo qendër u përball vitin e kaluar si pasojë e pandemisë botërore.
Firma kanadeze e menaxhimit të aseteve Brookfield po planifikon të shesë të gjithë ndërtesën, e cila përfundoi në 2019, njoftoi Sunday Telegraph. Investitorët nga Lindja e Largët, të cilët kanë qenë aktivë në Londër gjatë gjithë pandemisë, mendohet të jenë blerësit e mundshëm.
Kjo shitje vjen pavarësisht ndryshimit që ka ndodhur në tregun e punës në të gjithë botën gjatë periudhës së pandemisë, ku shumica e punonjësve vazhdojnë të punojnë aktualisht në distancë.
Ndërkohë, kompanitë e mëdha duke përfshirë Capita, HSBC, Lloyds dhe Sainsbury kanë njoftuar planet e tyre për të zvogëluar ose për të mbyllur disa nga zyrat e tyre në Londër, pasi pjesa më e madhe e stafit të tyre punon në distancë dhe të tjerët me orare fleksibël.
Sipas një raporti të publikuar nga firma e pronave Colliers, përqindja e zyrave të lira në Londër u rrit në 75 për qind në vit, ndërsa kulmin e shënoi muajin e kaluar, njëkohësisht edhe niveli më i lartë gjatë 9 viteve të fundit. Sipas saj, këtë vit, kjo shifër do të rritet edhe me 10 për qind, një nivel ky që nuk është parë që nga kriza financiare e vitit 2008 që shkaktoi recesionin e fundit të madh.
Megjithatë, në raport citohej se ritmi i largimeve nga zyrat ishte ngadalësuar papritur në shkurt dhe mars, një tregues ky sipas të cilit kërkesa për të punuar në qendrat urbane do t’i rikthej normalitetit pas heqjes së masave ndaluese.
Colliers parashikon një përmirësim të kërkesës gjatë këtij viti pasi disa kompani synojnë ta bëjnë ambientin e punës sa më komod dhe tërheqës për punonjësit e tyre, të cilët janë lodhur duke qëndruar në ambiente të mbyllura gjatë pandemisë por pa harruar që duhet t’i japin stafit të tyre të gjitha hapësirat e nevojshme për të ruajtur distancimin social.
Disa drejtues, duke përfshirë shefin ekzekutiv të Goldman Sachs, David Solomon, kanë thënë se ata presin që trendi i të punuarit nga shtëpia të ulet ndjeshëm, pasi shumë biznese kërkojnë që stafi i tyre të punojë në kompanitë përkatëse, si një mënyrë kjo për të nxitur inovacionin dhe bashkëpunimin, dhe për të trajnuar dhe drejtuar brezin e ardhshëm.