Në Cordignano të Treviso-s u mbajt këtë të enjte ceremonia e varrimit të 19-vjeçarit shqiptar Xhuliano Këlliçi, i cili humbi tragjikisht jetën në një aksident me makinë të dielën që lamë pas. Bashkë me të humbën jetën edhe 3 miqtë e tij të ngushtë, Daniele De Re 19 vjeç, Marco Da Re 18 vjeç dhe Daniele Ortolan 19 vjeç.
Në rrugën Filermo 7 në Cordignano, aty ku jetonte familja Këlliçi ndodheshin me qindra persona, brenda dhe jashtë shtëpisë. Familjarë, miq dhe banorë të zonës shkuan për t’i dhënë lamtumirën e fundit prekëse të riut shqiptar.
I gjithë komuniteti ku ndodhi ngjarja u trondit nga ky aksident i katërfishtë dhe ashtu siç prej ditësh shkonin për të bërë homazhe në vendin ku ndodhi aksidenti, të njëjtën gjë banorët bënë edhe këtë të enjte.
Mediat italiane shkruajnë se momenti kur arkivoli i 19-vjeçarit mbërriti në banesë ishte tejet i dhimbshëm. Ai u vendos brenda shtëpisë për lamtumirën e fundit nga familjarët, miqtë e të afërmit.
Pas një duartrokitjeje të fundit përpara shtëpisë së tij, arkivoli u dërgua më pas në varrezat e Cordignano.
Pas varrimit të 4 të rinjve, në stadiumin De Coubertin gjatë mbrëmjes ishte parashikuar të mbahej një përkujtimore dhe lutje viktimat, por kjo u shty për një datë tjetër për shkak të motit të keq në Veneto.
Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 02:10 të 14 Gushtit. Makina Volkswagen Polo në të cilin udhëtonin 4 miqtë fillimisht u përplas me bordurën më pas përfundoi jashtë rruge. Më pas u përplas me një pemë që ndodhej anës rrugës duke përfunduar në një kanal. Përplasja ishte fatale për të 4 miqtë që gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes.