Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndalon në kampin ku u verbuan të burgosurit, në Porto Palermo, me rastin e Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, të përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës.
Ndonëse sot, Kalaja e Porto Palermos është një pikë turistike, në të gjitha historitë e saj askund nuk përmendet një fakt i mbetur në errësirë; kalaja ka funksionuar si kamp internimi në vitet 1949-1950.
Për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit, në kalanë historike të Porto Palermos u mbajt aktiviteti “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim dhe Bashkinë Himarë.
Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, u ndal te rëndësia e promovimit të letërsisë së kujtesës, të gjithë autorëve që kanë krijuar në rrethanat e vështira të burgjeve komuniste dhe kampeve.
Në takim përshëndetën edhe kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, znj. Genta Sula, Kryetari i Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, z. Ethem Fezollari.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, pasi falenderoi organizatorët për organizimin e kësaj veprimtarie në përkujtim të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, nënvizoi:
“23 gushti është shenjuar si Dita e Kujtesës Europiane për Viktimat e Komunizmit dhe Fashizmit nga Parlamenti Evropian. Një ditë homazh e kujtesë për ato dhjetra milionë jetë njerëzore të këputura në mes, ato drama e tragjedi personale e të gjithë shoqërisë njerëzore të shkaktuara nga këto dy skaje ekstreme të regjimeve dhe ideologjive, dy skaje të të njëjtës humnerë, dy anë të të njëjtës monedhe kriminale siç ishte nazifashizmi dhe komunizmi. Mundet vetëm ta imagjinosh e ta ndjesh, por jo ta përshkruash se si mund të jetë një burg, që afron murin që mbyll trupin, kur syri ka lirinë të prekë pafundësinë e horizontit mbi det; si mund të ketë qenë terri i qelisë, në këtë oaz të natyrës me diell që nuk perëndon kurrë. Së paku dy vjet, 1949-1950, ky vend u tentua të bëhet varr ëndrrash dhe mal vuajtjesh të pafundme njerëzore. Por, dy Lekët, Mirakaj e Pervizi që ndodhen këtu, si të mbijetuar të asaj kohe të egër, janë dëshmia se asgjë në këtë botë nuk mund të jetë më e fortë se qenia njerëzore; se e liga i ra gurit dhe e theu, i ra njeriut dhe mbijetoi!”.
Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentjana Sula u shpreh se 23 gushti është dita që nderon viktimat e sistemeve totalitare, qoftë komunizëm, qoftë fashizëm, dy ideologji politike vrastare të shekullit 20 që prodhuan krimet më të mëdha që kishte njohur njerëzimi.
Dëshmitë nga jeta në kampin-burg të Porto Palermos erdhën nga rrëfimet e z. Lek Pervizi, z. Lek Mirakaj, z. Dine Dine, z. Bibjan Mirakaj dhe znj. Rudina (Dema) Mane.
Ajo pjesë e pathënë për historinë e viteve 1949-1950 kur kalaja shërbeu si kamp burg për gra, burra e fëmijë, doli në dritë edhe përmes poezive të shkëputura nga libri: “Porto Palermo fjalë guri dhe poezi të tjera” të shkrimtarit Luan Rama, interpretuar bukur nga aktorët Dritan Boriçi dhe Kudret Alikaj.
Aktiviteti do të vijojë edhe sot, ku për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit është hapur edhe një ekspozitë me portretet e ish- të burgosurve të Porto Palermos.