Pedagogu Arlind Qori është skeptik për të ardhmen e biznesit të mesëm dhe të vogël në krizën e pandemisë. Në një intervistë në TvT për emisionin “Në Fokus”, Qorri tha se kriza do t’i godasë fort këto biznese, duke i lënë terren biznesit të madh. Ai parashikon që bizneset e mëdha do zgjerohen akoma më shumë, çka do të çojë në kontradikta të ashpra sociale.
“Kriza po vjen. Oligarkët do të gllabërojnë bizneset e vogla dhe të mesme. Mendoj se do falimentojnë bizneset e vogla dhe të mesme dhe ato të mëdhatë do të bëhen akoma më të mëdha. Kjo do t’i bëjë kontradiktat shoqërore edhe më të ashpra dhe situatën në shoqëri një lloj “fuçie baruti”.
Sipas Qorit, kriza që ka shkaktuar pandemia ndikon në mënyra të ndryshme në katër kategori shoqërore. Ai shtoi se të papunët janë shtresa më e dobët, e cila nuk është ndihmuar nga qeveria.
“Nuk po e vuajnë të gjithë krizën njëlloj. Oligarkët janë karantinuar në vilat e tyre luksoze. Nisen nga Tirana, ndoshta edhe të infektuar dhe rrezikojnë të tjerët. Klasa e mesme kanë mundësinë të punojnë nga shtëpia. Unë jam pedagog, jap mësim online dhe paguhem. Kategoria e tretë janë punëtorët. E katërta janë të papunët. Nuk po mbështeten nga qeveria, ata po rrezikojnë jetën. Në kushtet kur janë ndërprerë lidhjet shoqërore, ata rrezikojnë urinë”, tha ai.